Pas krizës, Euro kap nivelin e lartë, ja me sa u këmbye sot

Ekonomi Lajme

Monedha e përbashkët e ka nisur këtë javë me rritje në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 128.34 lekë, me një rritje prej 0.76 lekë në raport me fundin e javës së kaluar.

Nga data 6 qershor, kur Banka e Shqipërisë njoftoi planin e saj për të ndërhyrë në tregun valutor me synim ndalimin e rënies së mëtejshme të euros, monedha e përbashkët është rritur me 4.17 lekë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit prill.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg, pasi euro ra me shpejtësi në maj dhe qershor, duke zbritur në 5 qershor në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet. Banka tha se kjo rënie ishte e papritur dhe kishte shkuar përtej parashikimeve, duke u ndikuar dhe nga efekti psikologjik i pritshmërive për një rënie të mëtejshme.

Pas ndërhyrjes së bankës, faktori psikologjik u kthye në drejtim të kundërt. Individët nxituan të blinin valutë, në pritje të rritjeje të mëtejshme të euros dhe kjo ndikoi në forcimin e shpejtë të monedhës së përbashkët.

Luhatjet e mëdha kanë bërë që agjencitë e këmbimit valutor të rrisin marzhin e tregtimit në blerje dhe shitje, nga 0.5 lekë, në gati 2 lekë. Një euro mund ta blesh sot mesatarisht në agjencitë valutore me 129.3-130.3 lekë.

Për shkak të kësaj situate, ekspertët e tregut pohojnë se është e vështirë të bëhen parashikime për ecurinë në muajt në vijim, ndonëse tradicionalisht vera është një periudhë kur valutat dobësohen, për shkak të efekteve sezonale nga remitancat dhe prurjet e turistëve, që këtë vit pritet të arrijnë në nivel rekord./Monitor

Zëvendës/Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ekopolitikë” të gazetares Aurora Sulçe, ka sqaruar se nëse do të vazhdonte rënia e mëtejshme e euros do të kthehej ne rrezik per inflacionin në vend.

Madje ajo nënvizon se zhvlerësimi i mëtejshëm i monedhës evropiane mund të shkaktonte deflacion, çka solli dhe nderhyrjen e Bankës së Shqipërisë ne treg për të stabilizuar situatën.

Megjithatë Ahmetaj shprehet se ishte e pritshme që monedha shqiptare të mbiçmohej por jo ne keto nivele.

Sipas saj, deklarata e Guvernatorit ka sjellë një reagim të menjëhershëm në treg për shkak të efektit psikologjik dhe jo vetëm për veprimin e bankës.

Natasha Ahmetaj: Vumë re që niveli i kursit të këmbimit po shkonte në ato parametra që do të bëhej një pengesë serioze për arritjen e këtij objektivi. Madje mundej që në vitin e ardhshëm të vinte një periudhë që niveli i inflacionit mund të binte ndoshta dhe në territor negativ dhe mund të zgjaste ndoshta dhe për një tre mujor. Kjo do të thotë që ekonomia e gjithë të përkeqësohej. Kjo tendencë ishte parashikuar që mbështesnim mbiçmim të lekut por ky mbiçmim ishte në nivele të absorvueshme nga ekonomia reale dhe nuk krijonte shqetësim për inflacionin dhe ekonominë. Ishte larg këtyre niveleve.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *