PD: Vetingu në polici i bllokuar, 534 drejtues dolën sigurimsa e spiunë. Reagon Autoriteti

Kronike Kryesore Lajme

Partia Demokratike me ane te deputetit te saj, Gent Strazimiri deklaron se procesi i Vettngut ne polici eshte bllokuar per shkak se nje pjese  e punonjesve te policise kane dale me dosje, Per kete ai akuzoi ministrin e Brendshem, Fatmir Xhafaj dhe komisionin parlamentar te Sigurise.

Pak javë më parë mediat njoftuan se në shtator do të riniste procesi i ndërprerë i vetingut në polici. Po ikën tetori, por vetting në polici nuk ka, sepse 534 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë verifikuar se i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit si oficerë, spiunë apo të dyja bashkë.

Një nga kriteret për vlerësimin e figurës së çdo punonjësi të Policisë apo Gardës lidhet me të shkuarën e tij në raport me Sigurimin e Shtetit, të cilën janë të detyruar ta deklarojnë në një formular të veçantë.

Nga verifikimi i formularëve, Autoriteti i Dosjeve ka gjetur se kupola e lartë e Policisë së Shtetit përbëhet nga individë kryekëput të lidhur me organizatën më gjakatare të vendeve komuniste,  Sigurimin e Shtetit”, tha nenkryetari i grupit te PD-se, Strazimiri.

Sipas tij, skandali po mbahet i fshehtë nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, një ish hetues i regjimit të diktaturës, por gjurmët e skandalit janë lënë në zyrat e Autoritetit të Dosjeve.

“Partia Demokratike është vënë në dijeni se verifikimi është ndërprerë, pas një takimi mes Kryetares së Autoritetit të Dosjeve, Gentjana Sula dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, i cili është informuar zyrtarisht për 534 drejtuesit e rangut të lartë të Policisë së Shtetit, pjesë e Sigurimit të Shtetit. Situata alarmante rikthimit të Sigurimit të Shtetit në  drejtimin e Policisë së Shteitt është bërë publike nga Partia Demokratike që në vitin 2014. Komisioni hetimor për largimet nga detyra në Polici, provoi zyrtarisht se qindra sigurimsa të nxjerrë në lirim ishin rikthyer në punë në mënyrë të jashtëligjshme, me vendim politik, pas një kontributi publik në radhët e partisë së Enver Hoxhës që sot drejtohet nga Edvin Rama. Komisioni hetimor provoi se kupola në fjalë ka kontribuar në zgjedhjet e 2013 si komisionerë, vëzhgues apo edhe financues i PS madje në shuma dhjetra mijëra euro. Statistikat konfirmojnë se rikthimi më detyrë i funksionarëve të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në nivele drejtuese është më i lartë se në vitin 1997. 534 sigurimsat që drejtojnë sot Policinë e Shtetit janë arsyeja pse procesi i vetingut në polici është ndërprerë dhe zhurma e madhe e Fatmir Xhafës dhe e Edi Ramës është zëvendësuar me heshtje. Përmes tyre partia e Enver Hoxhës që, sot drejtohet nga Edvin Rama, arriti të kanabizojë vendin, ta bëjë Shqipërinë, si kurrë më parë, vend miqësor ndaj organizatave kriminale të trafikimit me shumicë të heroinës dhe kokainës”, theksoi Strazimiri.

Gjithashtu PD kerkon qe Autoriteti i Dosjeve te Sigurimit Sekret te publikoje emrat dhe mos t’i mbaje te fshehur

“Falë tyre dhe standardit mafioz të “omerta-s”, të kultivuar dhe trashëguar nga Sigurimi i Shtetit, Policia e Shtetit u shndërrua këto 5 vjet në një organizatë po aq të dëmshme për rendin dhe sigurinë publike. Pavarësisht se i krijuar nga partia e Sigurimit të Shtetit, “Autoriteti për Informimin e Dokumentave të Ish-Sigurimit të Shtetit” ka detyrimin ligjor të publikojë informacionin mbi praktikën në fjalë dhe jo ta fshehë atë! Partia Demokratike i kërkon Gentjana Sulës të mos bëhet vegël e Sigurimit të Shtetit, por të bëjë publike pa vonesë listën me 534 drejtuesit e lartë të Policisë, të lidhur me Sigurimin e Shtetit”, theksoi Strazimiri.

Reagimi i Autoritetit

Pas deklaratës së deputetit demokrat, Gent Strazimiri, se procesi i vetingut është ndërprerë sepse 534 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë verifikuar se i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit si oficerë, spiunë apo të dyja bashkë, ka ardhur dhe reagimi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sqaron se institucionet Kushtetuese, Autoritete Publike, përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë paraqitur në vijimësi pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkesa ku është kërkuar vlerësimi i cilësive etiko – morale dhe profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit në nivel drejtues në raste të emërimit apo ngritjes së tyre në detyrë, sipas përcaktimeve të nenit 29, pika 1, gërma “ë” të ligjit 45/2015, “Për të drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit…”.

Autoriteti thotë se rezultatet e verifikimit për çdo rast janë komunikuar institucioneve të cilat kanë paraqitur kërkesën dhe në asnjë rast nuk ka patur nga ana jonë ndërprerje të procesit të filluar.

“Deri më sot, pranë Autoritetit nuk është paraqitur asnjë kërkesë e shoqëruar me formularët përkatës të plotësuar nga vetë subjektet dhe Organet e Vlerësimit Kalimtar sipas ligjit nr. 12/2018 (Vetingu në polici)”.

Autoriteti thotë se me disponimin e një kërkese të tillë ligjore, menjëherë do të kryejë procesin e verifikimit të figurës së çdo punonjësi që i nënshtrohet kontrollit, konkretisht nëse ka qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

“Në përfundim, evidentojmë rolin parësor dhe mjaft të rëndësishëm të Autoritetit në zhvillimin e procedurave të deritanishme në tërësi por dhe kryerjen në veçanti të procedurave të vlerësimit të cilësive etike morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e vetingut KPK dhe KPA dhe atyre për t´u zgjedhur anëtarë të KED, KLP dhe KLGJ, jo vetëm brenda standarteve të kërkuara dhe në kohë reale, por më e rëndësishmja, brenda kornizave që ligji i ngarkon atij”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit rikujton organet kushtetuese, institucionet publike dhe organizatat politike të aplikojnë pranë Autoritetit për të provuar lidhjet e mundshme me ish Sigurimin e Shtetit të kandidatëve të ngarkuar me detyra të larta shtetërore.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *