Për pronën, një reformë si ajo për drejtësinë

Opinion

Nga Alfred Peza

Pas 27 vjetësh, dalin në dritë dhe pranohet zyrtarisht dhe publikisht me gojën plot, nga përfaqësuesit më të  lartë të shtetit, e vërteta e hidhur e çështjes së pronave në përgjithësi dhe ajo tokave në bregdet, në veçanti. Artan Lame, drejtori i Agjensisë së Legalizimeve thotë se “pjesa më e madhe e territorit të vendit, rezulton e paregjistruar në zyrat e hipotekave, duke bërë që çështja e pronësisë të kthehet në një burim konfliktesh dhe abuzimesh”.

Numri i viktimave për shkak të konflikteve të pronësisë shënon një bilanc të vërtetë luftë të pashpallur civile gjatë këtyre viteve. Ndërkohë që kjo çështje, sëbashku me atë të drejtësisë, përbëjnë dy kollonat kryesore mbi të cilat ngrihen dhe qëndron në këmbë një shtet serioz, modern dhe funksional në një sistem të ekonomisë së tregut të lirë. Ndaj, besoj është jetike për të sotmen dhe të ardhmen demokratike të këtij vendi, që prona ti nënshtrohet një reforme të thellë, sado e dhimbshme dhe e kushtetueshme që të jetë ajo, e ngjashme për nga skurpuloziteti, thellësia dhe përmasat, me reformën e re në drejtësi.

Në 5 muajt e fundit, Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë zbuluar dhe çuar për ndjekje penale të paktën katër rrejte të mëdha zyrtarësh lokalë të të gjitha kahjeve politike, binzesmenësh dhe spekulantësh gjithfarësh, që kanë bërë tjetërsime në përmasa të paimagjinueshme, të pronave në bregdetin shqiptar. Në thelb të të gjithave, është zbatuar mekanizmi i falsifikimit të dokumentave për zonat pothuajse të virgjëra turistike si Karaburun në Vlorë, Spilleja e Rreth Grethi në Rrogozhinë e Kavajë dhe tek Rana e Hedhun në Lezhë. Në Karaburun, vetëm një person ka përvetësuar 220 hektarë tokë me vlerë rreth 100 milionë euro. Kaq, sa për të kuptuar batërtinë mbi këtë çështje.

Por nuk mbaron me kaq dhe situate skandaloze dhe alarmante, nuk mbyllet këtu. Artan Lame thotë se “i gjithë bregdeti i Jugut të Shqipërisë është i paregjistruar. Nuk ka ndodhur më kot. Eshtë lënë jetë e mot, në këto 20 e ca vjet i paregjistruar, PER TU SHQYER. Me thënë të drejtën, ja kanë dale. Ka funksionuar. Përgjithsisht, në rang Republike, pa bërë ndarje, as PD e as PS, as blu e të kuq, se hajdutëria nuk ka ngjyrë, aty ku janë përzierë, administratat vendore janë përzierë njësoj në këtë proces”.

Qeveria shqiptare ka vendosur së fundmi “pezullimin e regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet dhe mbi reformën e pronës në tërësi me qëllim që të bllokojë të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat dhe i kanë tjetërsuar ato në mënyrë të paligjshme”. Eshtë ngritur një Task Forcë e Tokave nga Ministria e Drejtësisë e cila ka nisur punën e saj verifikuese, duke filluar nga Hipoteka e Vlorës. Fillimisht, Task Forca do të verifikojë dokumentacionin e tokave dhe më pas, në varësi të problematikave që do të hasen, do të procedohet më tej edhe me verifikimet në institucione të tjera dhe në terren.

Do të dëshiroja shumë që çështja e pronave, të zgjidhej në këtë mënyrë. Por jam skeptik. Sepse besoj se çështjet me rëndësi të jashtëzakonshme, nuk zgjidhen në mënyrën e zakonshme. Mund të kemi disa rezultate adekuate, por nuk e besoj se kjo është mënyra më e mire për ta zgjidhur me themel dhe njëherë e përgjithmonë këtë gangrene kombëtare. Sepse punët e mëdha për çështje si kjo, nuk bëhen me aksione, me struktura ekzistuese, me grupe të copëzuara e mobile njerëzish që i bashkon një vullnet i mirë. Vullneti politik është shumë i rëndësishëm në këtë rast. Por, ai nuk mjafton. Problemi duhet zgjidhur nga rrënjët, nga themeli, me sistem.

Vetëm duke u shembur njëherë e përgjithmonë dhe duke e flakur tej pa dhimbje në muzeun e rrangallave monstruoze të tranzicionit tonë të dhimbshëm sistemin aktual, do të shpëtojmë prej tij. E mbi rrënojat e tij, të ringremë nga e para, një sistemi krejt të ri. Një model me koncept e arkitekturë perendimore, sipas parimeve të së majtës moderne dhe të së djathtës liberale, për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes së pronës.

Na duhet të udhëhiqemi nga një filozofi e ngjashme me atë që u zbatua për reformën në drejtësi, edhe tek kjo reformë e thellë për pronën. Na duhet një konsensus maksimal politik (140 vota në Parlament) konsensus kombëtar dhe një kontratë sociale strategjike. Sepse pa një drejtësi të drejtë e funksionale dhe pa një reformë totale të pronës që ajo ti shkojë më në fund të zotit, ne kurrë nuk kemi për të ndërtuar ndonjëherë një shtet modern, demokratik, prosper dhe funksional.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *