Përfundoi takimi i radhës Thaçi – Vuçiç

Botë Kryesore shtojca

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ishte një takim konstruktiv në të cilin u diskutua për marrëveshjet e deritashme dhe zbatimin e tyre.

“Kosova u mbetet besnike obligimeve dhe përgjegjësive që ka marrë në marrëveshjet e arritura në Bruksel, sidomos tash në implementimin e hapjes së urës, të angazhimeve për sektorin e energjisë, por edhe për funksionalizimin e komisionit për të formuluar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së Brukselit”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është diskutuar edhe për hapat e mëtejshëm që të shkohet drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë -Serbi, që do të hapte ardhmëri të sigurt evropiane për të dyja vendet.

“Të dyja vendet duam marrëveshje. Ajo është në interesin e Kosovës dhe të Serbisë, është në interesin edhe të investimeve të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimorë, prandaj jam optimist dhe me besim se mund të arrihet marrëveshja e paqes, e stabilitetit, e fqinjësisë së mirë dhe pajtimit në mes të dy vendeve tona. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara. Marrëveshja për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona shihet ndoshta aktualisht si e paarritshme, e di që është shumë e vështirë, por është rruga e vetme dhe besoj që do të arrihet”.

Ai tha se çdo vonesë do të bëjë që të dyja palët të paguajnë çmim më të lartë. Prandaj duhet të punohet në mënyrë dinamike që të arrihet kjo marrëveshje. “Unë shpresoj gjatë këtij viti”, tha presidenti Thaçi.

“Unë nuk dua të punoj në qasjen që secili duhet të humbim nga pak, por unë mendoj se qasja duhet të jetë dhe filozofia e punës se këtij dialogu dhe negociate duhet të jetë që të fitojmë të dyja palët. E fitorja më e madhe është që të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha ai duke ju referuar deklarimeve në vazhdimësi të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit marrëveshje duhet të cojë në një zgjidhje me të cilën të dyja palët do të humbin diçka.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Të dy presidentët shkuan në Bruksel nga Shtetet e Bashkuara ku qëndruan në vizita të paparalajmëruara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë si çështje të mbyllur.

“Jam i kënaqur me punën dhe përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh. Nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Prej një kohe të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën… Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të vetën. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e pavarësisë Kosovës“, tha ai.

Presidenti serb ka paralajmëruar mundësinë që në muajin prill të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por për këtë tha ai, ka nevojë edhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

“Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova”, tha ai duke nënvizuar se Serbia po paguan çmimin e vendimeve të gabuara të së kaluarës, përfshirë edhe ngritjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për kompromise por jo “edhe të sakrifikojë interesat e saj”, ndërsa hodhi poshtë pohimet se ka zhvilluar takime private me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, apo të ketë biseduar me të për “ndarjen e Kosovës”, një pohim i hedhur nga forcat opozitare në Serbi por edhe nga disa medie evropiane.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi poshtë mundësinë që të jetë takuar me presidentin serb gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Ai shkroi në rrjetet sociale se “ditëve të fundit kam zhvilluar konsulta intensive me partnerët tanë strategjikë. Në Washington, Londër, Berlin, Paris me qëllim të bashkërendimit të agjendës euro-atlantike për Kosovën. Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin në Parlamentin e Kosovës, do të dinamizojë dhe qartësojë agjendën tonë, dhe është argument shtesë për miqtë dhe partnerët tanë. Përderisa po hyjmë në fazën finale të normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, jemi të bekuar me mbështetjen e palëkundshme të aleatëve tanë strategjikë”, shkroi ai.

Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruajë lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serbë që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Burimi VOA

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *