Plani i Trumpit: Zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

Botë Kryesore Rrotull Slider kryesore

Presidenti Donald Trump publikoi të martën planin e tij të paqes Izraelito-Palestinez, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu. Plani është rezultat i një pune trevjeçare të këshilltarit të lartë të Presidentit, Jared Kushner, i cili është njëkohësisht edhe dhëndri i zotit Trump.

Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor. Ai tha se marrëveshja do të “dyfishonte” territorin nën kontrollin e palestinezëve. Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Presidenti Trump gjatë një paraqitjeje së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se plani “mund të jetë mundësia e fundit” për palestinezët.

Netanyahu tha se është një plan i mrekullueshëm për Izraelin dhe për paqen.

Ai shprehu gatishmërinë të negociojë me palestinezët bazuar në këtë plan.

Përpara njoftimit të planit për paqe në Lindjen e Mesme zoti Trump ka zhvilluar takime me zotin Netanjahu dhe udhëheqësin e opozitës izraelite Benny Gantz për t’i njohur ata me përmbajtjen e tij.

Zoti Netanjahu e ka cilësuar planin si “mundësia e shekullit që nuk duhet humbur”. Zoti Gantz e quajti atë një “moment historik të rëndësishëm”.

Një zëdhënës i zotit Netanhaju tha se kryeministri izraelit do të nisej drejt Moskës të mërkurën për të njohur Presidentin rus Vladimir Putin mbi propozimin.

Ndërkohë të martën me mijëra palestinezë demonstruan kundër planit amerikan, disa orë përpara publikimit të tij në një ceremoni në Uashington.

Ndërsa udhëheqësit izraelitë e kanë mirëpritur planin, udhëheqësit palestinezë e kanë kundërshtuar atë edhe pse nuk është bërë ende publik. Ata thonë se administrata e zotit Trump është e njëanshme, pro Izraelit.

Palestinezët frikësohen se plani i zotit Trump do të shuajë shpresat që ata kanë për një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në lindje të Jeruzalemit.

Ndërkohë të martën ndaj zotit Netanjahu është ngritur një padi zyrtare në gjykatë lidhur me akuza për korrupsion, një zhvillim që pasoi vendimin e kryeministrit izraelit për të hequr dorë nga një kërkesë e tij për të kërkuar imunitet parlamentar nga ndjekja penale.

Pikat kryesore të planit?
Agjencia Reuters ka publikuar disa pjesë kyçe të cilat i adreson plani i presidentit Trump:

* Statusi i Jerusalemit, duke përfshirë vendet historike të shenjta.

* Vendosja e kufijve me pajtim të dyanshëm.

* Arritja e marrëveshjeve të sigurisë që do të hiqte frikën e Izraelit nga sulmet e palestinezëve dhe fqinjëve armiqësorë.

* Kërkesa palestineze për shtetësi në territorin e Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor – të okupuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967. ( Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largojë vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Më shumë se 400,000 izraelitë tani jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, me 200,000 banorë të tjerë në Jerusalemin Lindor).

* Gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë të miliona refugjatëve palestinezë.

* Marrëveshjet për të ndarë burimet natyrore, siç është uji.

Historiku i planit?
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, është autor kryesor i planit. Ai shpalli fazën e parë të planit në Bahrein gjatë muajit qershor 2019.

Faza e parë e planit bënte thirrje për një fond investimi 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonomitë palestineze dhe vendeve arabe fqinje.

Kushner ka punuar për dy vjet në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit”.

Prezantimi i planit vjen në kohën kur si presidenti amerikan, Donald Trump ashtu edhe ai izraelit, Benjamin Netanyahu, janë duke u përballur me akuza dhe procese gjyqësore.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *