‘Preja’ e parë e Anti-KÇK-së kompleksi ‘Golden’ në Shijak, Altin Hajrit i sekuestrohen edhe 3 shtëpi dhe 1 pikë karburanti

Kronike Lajme

Teksa Altin Hajri është në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar të vitit 2020, ligji Anti-KÇK ka bërë goditjen e parë në terren, duke sekuestruar kompleksin në pronësi të tij, “Golden” pranë Shijakut.

Shqiptarja.com mëson ekskluzivisht përmes burimeve konfidenciale, se janë sekuestruar nga efektivët e “Operacionit Forca e Ligjit”, veç kompleksit “Golden” edhe tre shtëpi dhe 1 pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri. Sekuestrimi i pasurisë në këtë rast parashikohet në nenin 19 të ligjit Anti-KÇK që vjen drejtpërdrejt nga Policia e Shtetit pasi konsiderohet si rast emergjence.

Sipas ligjit Anti-KÇK, kjo është goditja e parë ndaj pasurive të grupeve të dyshuara kriminale që vjen drejtpërdrejt me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pas kërkesës së Operacionit Forca e Ligjit. Brenda 24 orësh dosja e policisë më tej do të kalojë në filtrin e SPAK. Sipas ligjit, prokuroria brenda 15 ditësh bën vlerësimet dhe e dërgon dosjen në gjykatë për masën e sekuestros nëse verifikimet e policisë, dhe pasuria është vënë nga burime të paligjshme dhe të pajustifikuara. Më tej po brenda 15 ditësh nga kërkesa e SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, në Dhomë Këshillimi shprehet me vendim, i cili është i ekzekutueshëm menjëherë.

Po ashtu, të njëjtat burime konfidenciale thanë se lista e parë në duart e OFL-së përfshin 150 subjekte, ndërsa në total deri më tani janë 250 subjekte në verifikim paraprak.

Ligji Anti-KÇK kaloi me akt normativ nga qeveria të premten e kaluar, dhe brenda 45 ditësh kuvendi duhet të shprehet, por ligji e merr fuqinë nga momenti kur u votua në Këshillin e Ministrave.

Për ngjarjen e rëndë të Jan Prengës janë vënë në pranga disa persona, mes të cilëve vëllai dhe babai i Altin Hajrit, Leonard dhe Bajram Hajri. Policia ka dyshime se pengmarrja dhe më tej vrasja e Jan Prengës në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, është bërë për shkak të prishjes së pazareve të drogës, pasi vëllai i Prengës në Angli merrej me trafik kokaine dhe ka cënuar interesat e grupeve kriminale në Shqipëri me bazë në Vlorë, Shijak dhe Shkodër, pjesë e të cilëve dyshohet të jetë edhe Altin Hajri. Teksa i ka shpëtuar drejtësisë në shumë raste, edhe për tentativën e vrasjes së fqinjit të tij pasi dyshohet se nuk i shley detyrimin për punët hidraulike që ai kreu në kompleksin ‘Golden’ e cila nga 7 vjet në shkallë të parë u rrëzua si dënim nga Apeli, Altin Hajri merr goditjen e parë pasurore nga struktura Anti-KÇK e cila sipas ligjit vë në filtër edhe pasuritë që janë në emër të personave të afërm. Shqiptarja.com

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *