Presidenti i Milanit komenton detyrën e re: T’i rikthejmë lavdinë klubit

Sport

Paolo Skaroni do të jetë presidenti i ri i Milanit. Ai u zgjodh në unanimitet të plotë nga bordi drejtues kuqezi, pasi fondi “Elliot” kaloi zyrtarisht në rolin e administruesit të klubit. Zgjedhja mbi Skaronin nuk është rastësore. Ai ka qenë pjesë e këshillit edhe në epokën kineze, por figura e tij ndryshon nga ajo e Jonghong Li. 72- vjeçari do të jetë përkohësisht edhe administrator, teksa e kaluara e tij flet qartë për suksese në shumë fusha, përfshirë edhe atë sportive. Prej vitit 2002 ka punuar si administrator i deleguar i kolosëve italianë të energjisë, ndërsa nga 2014-ta është zëvendëspresident i bankës “Rothchild”.

Përveçse pjesë e bordit kuqezi, Skaroni është gjithashtu pjesë e bordit të “Columbia Business School” në Nju Jork dhe i fondacionit të “Teatro alla Scala”.

Zemër kuqezi – Duke lënë mënjanë eksperiencën e tij si njeri i menaxhimit të suksesshëm, Paolo Skaroni ka dhe një përvojë të gjerë në fushën e sportit. Nën presidencën e tij, Viçenca në vitin 1997 fitonte Kupën e Italisë dhe arrinte deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kupave. Përveç pasionit për ekipin e vendlindjes, Skaroni është edhe një tifoz i vjetër kuqezi, aspekt të cilin e përmendi edhe dje gjatë fjalës së tij pas emërimit si president: “Dua vetëm t’ju falënderoj që jam këtu sot. Për mua është një nder i madh kjo detyrë, e cila më bën akoma më shumë krenar, duke qenë se jam milanist”.
Detyra dhe premtime – Skaroni do të jetë presidenti i 23-të i historisë së Milanit, teksa për pritshmëritë e tij foli pas mbledhjes së Asamblesë, kur për mediat e pranishme deklaroi: “Jam shumë i lumtur që do të kem mundësinë të drejtoj Këshillin administrativ të Milanit. Jam shumë mirënjohës për besimin që më dhanë kolegët e tjetër.

Ky është një moment thelbësor për historinë e këtij klubi dhe i jemi mirënjohës pronarit të ri, i cili ka marrë përsipër t’i rikthejë Milanit shkëlqimin e dikurshëm. Në nivel Këshilli, do të bëjmë gjithçka është e mundur për të vendosur trajnerin dhe lojtarët në kushtet ideale për të pasur sukses. Jemi të vetëdijshëm për punën që na pret, por nga ana tjetër, mezi presim të shfrytëzojmë entuziazmin dhe impulset e kësaj dite kaq të rëndësishme”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *