Prokurorët dhe gjyqtarët s’do punojnë as avokatë, Meta s’dekreton ligjin

Kryesore Lajme Politikë

Përpos kthimit të ligjit për ndërtimin e teatrit të ri dhe nismës për tatimin e lojërave të fatit, presidenti Ilir Meta nuk ka dekretuar as ligjin për profesionin e avokatit. Kreu i shtetit ka shprehur mospajtimin e tij me këtë ligj, duke mos e dekretuar, por pa e kthyer për rishqyrtim në Kuvendi, siç veproi me dy ligjet e tjera.

Ligji për profesionin e avokatit është miratuar nga Parlamenti në datën 23.7.2018, ndërsa është botuar dje në Fletoren Zyrtare, pas heshtjes 3-javore të kreut të shtetit, i cili as nuk firmosi shpalljen e tij, por as kthimin për rishqyrtim.

Pika 1 e nenit 84 të Kushtetutës parashikon që Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.

Pika 2 e këtij neni parashikon që ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni.

Ligji për profesionin e avokatit prodhoi përplasje mes avokatëve, parlamentit dhe faktorit ndërkombëtar. Shkak u bë një parashikim, i cili herë hiqej dhe herë rikthehej, për të mos lejuar prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga Vetingut që të ushtronin profesionin e avokatit.

Ky propozim ishte bërë nga misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, EURALIUS, i cili asiston autoritetet shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi.

Parashikimi u kundërshtua hapur nga Dhoma e Avokatisë dhe në mënyrë të heshtur nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët lobuan për rrëzimin e kësaj pengese.

Fillimisht, Komisioni i Ligjeve, i dominuar nga shumica, u shpreh pro propozimit të EURALIUS, me pretendimin se gjyqtarët dhe prokurorët me njollë, të nxjerrë nga dera e drejtësisë, nuk mund të riktheheshin nga dritarja. Por, befas, disa ditë më vonë, anëtarët e Komisionit të Ligjeve ndryshuan mendje, duke u pozicionuar në anën e avokatëve dhe të gjyqtarëve e prokurorëve që po shkarkohen dhe do të shkarkohet nga detyra, kryesisht për mosjustifikimin e pasurive me dokumentacion ligjor.

Pas disa ditësh, anëtarët e Komisionit të Ligjeve ndryshuan sërish mendje, me sa duket pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar, duke u rikthyer në pozicionin e parë, pra pro propozimit për të ndaluar gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar që të ushtrojnë profesionin e avokatit.

Varianti përfundimtar i ligjit për profesionin e avokatit, i botuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi në fillim të muaj shtator, ndalon prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga Vetingu që të ushtrojnë profesionin e avokatit./ Marrë me shkurtime nga shqiptarja.com

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *