Protesta në SHBA/ Prezantohet në Kongres rezoluta për shkarkimin e Trump, votohet të mërkurën

Botë Kryesore Rrotull Slider kryesore

Demokratët këtë të hënë kanë dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë për shkarkimin e Donald Trump, për rolin e tij në nxitjen e protestës së dhunshme në SHBA, ku mbetën të vrarë 5 persona, 4 protestues dhe një polic.

Dokumenti e akuzon Trump për “nxitje të kryengritjes” dhe pretendon se ai ka inkurajuar në mënyrë aktive dhunën në Capitol Hill.

Artikulli nënvizon disa deklarata false të Trump, përfshirë atë se zgjedhjet ishin vjedhur dhe se ishte fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të 2020-s.

Seanca e shkurtër u ndërpre në më pak se 15 minuta pas një kundërshtimi ndaj rezolutës nga një ligjvënës republikan nga Virxhinia Perëndimore. Ajo do të fillojë përsëri ditën e nesërme te merkuren pritet votimi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, shumë prej kolegëve të saj demokratë dhe disa republikanë thonë se presidentit nuk mund t’i besohet më mandati, i cili i përfundon më 20 janar.

“Në mbrojtje të Kushtetutës sonë dhe të demokracisë sonë, ne do të veprojmë me urgjencë, sepse ky President përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për të dyja këto,” shkroi zonja Pelosi të dielën në një mesazh drejtuar kolegëve të saj demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Dhoma e Përfaqësuesve nuk duhet të miratojë kurrë një rezolutë që kërkon heqjen e një presidenti të zgjedhur në mënyrë të rregullt, pa seanca dëgjimore, debat ose votim të regjistruar”, tha anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Alex Mooney, i cili ngriti kundërshtime rreth projekt-rezolutës.

Më herët të hënën, republikanët bllokuan një përpjekje për të shqyrtuar një rezolutë që i bënte thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të aktivizonte amendamentin e 25-të të Kushtetutës, e cila parashikon heqjen e një presidenti kur ai është i paaftë për të kryer detyrat.

Zonja Pelosi tha se demokratët po i bëjnë thirrje Zëvendës Presidentit Mike Pence të përgjigjet brenda 24 orësh pas miratimit të legjislacionit që i kërkon atij të mobilizojë kabinetin për të hequr Trump në bazë të Amendamentit të 25-të.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën mbi rezolutën që bën thirrje për përdorimin e Amendamentit të 25-të.

Zoti Pence dhe republikanët e tjerë kanë treguar pak interes për përdorimin e amendamentit në fjalë.

Në një deklaratë me video pas sulmit, zoti Trump pranoi se një administratë e re do të merrte detyrën më 20 janar, por nuk është shfaqur në publik. Twitter dhe Facebook kanë pezulluar llogaritë e tij, duke përmendur rrezikun se ai mund të nxisë dhunë.

Zoti Pence ishte në Kapitol së bashku me familjen e tij të mërkurën, kur mbështetësit e Presidentit Trump sulmuan ndërtesën. Sipas njoftimeve, ata nuk kanë folur me njëri-tjetrin që nga ajo ditë.

Zyra e zotit Pence nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Një burim tha javën e kaluar se ai ishte kundër idesë së përdorimit të Amendamentit të 25-të për të rrëzuar zotin Trump.

Zonja Pelosi kishte thënë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të votonte për të ngritur akuzën për rebelim, nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron. Ndihmësit e udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili votoi kundër njohjes së fitores së zotit Biden, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve ngre përsëri akuza kundër zotit Trump, Senati, i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët, nuk do t’i merrte në shqyrtim ato para datës 19 Janar, dita e fundit e plotë e zotit Trump në detyrë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *