Type to search

Koment Opinion

Protesta, nuk mund të jetë çështje tarifash…

Ndaje

Nga Astrit Patozi

Ka një vërshim të madh solidariteti me protestën e studentëve këto ditë kudo në Shqipëri dhe ky nuk është lajm i keq. Përmes studentëve të revoltuar shumica e shqiptarëve që i mbështesin gjejnë të materializuar edhe pamundësinë e tyre për të bërë të njëjtën gjë. Por edhe kjo nuk është gjë e keqe.
Sepse studentët po reagojnë sot fort ndryshe nga të tjerët, që i mbështesin nga larg, duke marrë zemër në distancë nga guximi i tyre, mbi të gjitha se janë në një moshë që nuk bëjnë llogari. Ata nuk kanë hyrë ende me të dyja këmbët ne rrethin vicioz, ku e gjithë jeta e tyre edhe e familjarëve të vet të jetë e kushtëzuar nga dëshira apo trillet e 3 apo 4 personave, të vetmit në një vend që po shpopullohet me shpejtësi, të cilët marrin vendime të rëndësishme në emër të popullit.
Nuk besoj se e zbehim fare kauzën e drejtë të protestës po të themi se pjesëmarrja dhe zemërimi i studentëve është disi i shpërpjestuar me kërkesat e tyre. Por, me këtë qeveri dhe me këtë sistem politik të kalbur, edhe po të protestosh pa shkak fare, sërish e ke të drejtën me vete.
Kur them se ka një mospërputhje, nuk do të thotë se nuk i mbështes kërkesat e afishuara të protestës së studentëve, të cilat i konsideroj si më legjitimet në botë. Por sepse unë realisht do të doja që reagimi i tyre të shkonte përtej pretendimeve për ndryshimin e tarifave të Arsimit të Lartë në vend. Natyrisht, që nuk e çoj ndër mend që t’i mësoj se si ta shndërrojnë reagimin në një lëvizje të fortë shoqërore, dhe as t’i ndjek ata si hijenat politike, që po përpiqen këto ditë të përfitojnë nga protesta e tyre për t’i dhënë oksigjen kauzave të vdekura opozitare.
Sepse mendoj që problemi më i madh i studentëve nuk është përballimi financiar i 3 apo 4 viteve në Universitet, por shanset e pakta, të cilat nganjëherë janë zero, që u ofron atyre Shqipëria e marrë peng nga një kastë e korruptuar dhe arrogante, për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Problemi i tyre real është se shkollimi i tyre dhe cilësia e studimeve nuk do të kenë asnjë vlerë në ditën, që ata do të shkëputen nga universitetet, edhe sikur të mbijetojnë pas pritave të qeverive me tarifat shkollimit.
Sepse do t’i presin kudo me këmbët e para, që nga udhëheqësit supremë e deri tek mijëra vartës të tyre, politikanë apo nëpunës të lartë të administratës, që të gjithë të emrëuar dhe asnjëherë të zgjedhur, që nga zyra më e lartë e shtetit, e deri tek cepi më i largët i një biznesi të vogël privat. Sepse në këtë vend prej kohësh nuk ka më sens fare konkurrenca dhe nuk ka më asnjë kuptim zotësia, integriteti dhe dinjiteti njerëzor, si vlera universale të çdo shoqërie të lirë dhe të emancipuar.
Jam i sigurt se kjo qeveri dhe shumë të tjera që do të vijnë pas asaj, nëse gjëndja nuk do të ndryshojë, nuk do ta kenë fare problem që t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e studentëve për tarifat e shkollimit apo për kushtet e jetesës në konvikte apo auditore.
Jo vetëm këta që janë sot në pushtet, por edhe ata të tjerët, që po presin radhën duke u lëshuar goja lëng pas çdo proteste kundër qeverisë, e quajnë një gjilpërë në kashtë që të heqin ca para nga një zë tjetër i buxhetit dhe t’ua kthejnë shkollimit të studentëve. Nuk do të mendoheshin 2 herë dhe do t’i plotësonin të gjitha ato.
Por jam shumë i sigurt se të gjithë ata bashkë janë shumë të ndjeshëm dhe nuk do të donin kurrë që të ndryshonin me dëshirë këtë sistem të kalbur, në themel të të cilit qëndron korrupsioni, imponimi i më të fortit dhe mungesa e konkurrencës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Ndaj edhe është vështirë t’i ndash nga njëri-tjetri dhe nuk e kanë fare problem që brenda protestës mund të gjesh, si ata që ishin në opozitë, ashtu edhe ata që ishin në qeveri, kur u votua ligji i 2014-ës, të cilin po kontestojnë sot studentët.
Uroj dhe shpresoj shumë që kjo protestë kurajoze dhe emancipuese e studentëve të shërbejë si embrion për nisjen e një lëvizje të fortë politike, që të shkundë, jo thjesht sistemin arsimor në Shqipëri, por mbi të gjitha rendin shoqëror në vend, i cili ka pësuar deformime të tmerrshme ndër vite.
Në mos qoftë e thënë kjo, të paktën të shërbejë si frymëzim për shqiptarët e tjerë se vetëm një reagim i fuqishëm ndaj padrejtësisë, arrogancës dhe arbitraritetit të një elite politike të amortizuar krejtësisht mund ta sjellë ndyshimin në Shqipëri.
Kjo nuk mund të jetë një çështje tarifash, ashtu si dhjetor 1990 nuk ishte çështje dritash, kur krisi në Qytetin Studenti.

Fotografia e Astrit Patozi
Loading...

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *