Qeveri pa LDK, Vetëvendosja takon pakicat serbe. Kurti: Të hënën të votohet qeveria

Botë Kryesore Rrotull Slider kryesore

Vetëvendosja nga pritja pafund e Lëvizjes Demokratike të Kosovës për krijimin e koalicionit është hedhur në veprim, duke paralajmëruar skenarin e formimit të qeverisë pa pjesëmarrjen e  partisë së dytë, LDK-së.

Kryesia e parlamentit të Kosovës mblidhet të premten për të vendosur lidhur me kërkesën e kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, për thirrjen e seancës plenare për votimin e përbërjes së qeverisë së re.

Në kërkesën e zotit Kurti thuhet se parlamenti do të duhej të mblidhej të hënën me 3 shkurt, një ditë para skadimit të afatit prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.

Më 20 janar, zoti Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje mori zyrtarisht mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kërkesa e tij për mbledhjen e parlamentit u bë ende pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë, me gjithë negociatat e gjata që filluan menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Ndonëse të dyja këto parti që nga fillimi kanë theksuar se nuk kanë alternativë tjetër përveç koalicionit qeverisës me njëra tjetrën, nuk i tejkaluan dot deri tash ndasitë rreth ndarjes së pushtetit.

Fillimisht, marrëveshja u pengua nga mospajtimet rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës në vitin 2021, kur skadon mandati i presidentit Thaçi, ndërsa hendeku u thellua pas mbledhjes së parë të parlamentit të ri më 26 dhjetor, kur lëvizja Vetëvendosje propozoi zotin Glauk Konjufca për postin e kryetarit të parlamentit dhe ai u miratua edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më pas, Lidhja Demokratike refuzoi një ofertë të Vetëvendosjes për shtimin e ministrive duke kërkuar postin e kryetarit të parlamentit deri në zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Në një situatë të tillë pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike, zoti Kurti kërkoi të premten mbajtjen e mbledhjes së parlamentit për të votuar qeverinë. Gjatë ditës ai takoi përfaqësuesit e pakicave përfshire edhe Listën Serbe, përfaqësuesit e së cilës thanë se “nuk do të pengojnë formimin e qeverisë”.

Tani për tani është e paqartë se si mund të rrjedhë procesi i mëtejmë dhe nëse ka ende hapësirë për një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.

Në një postim në rrjetet sociale pas takimit me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, zoti Kurti tha se “e njoftova z. Borrell edhe me përpjekjet për krijimin e qeverisë së re e cila do të marrë drejtim në javën që vjen”.

Analisti Vigan Qorrolli i tha Zërit të Amerikës se zoti Kurti mori “një hap logjik për të kërkuar besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje ndonëse konvencioni politik do të duhej të ishte me një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”.

Sipas tij, Lidhja Demokratike “po e detyron zotin Kurti që të shkojë me një kërkesë që të votohet një qeveri e pakicës, e cila do të duhet kushtetutshmërisht të marr 61 vota në Kuvendin e Kosovës për t’u bërë si e tillë. Tash a do të ketë jetëgjatësi një qeveri e pakicës është çështje problematike për t’u diskutuar”, tha ai, duke shprehur bindjen se “marrëveshja Kosovë-Serbi po del të jetë, potencialisht thembra e Akilit në bashkëpunimin Vetëvendosje – LDK”.

Zoti Qorrolli thotë se “me gjasë një marrëveshje në mes të Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes është pak e arritshme dhe zoti Kurti po kërkon që të dështojë marrëveshja me Lidhjen Demokratike në mënyrë që t’i hap mundësinë presidentit të Republikës të kërkojë një mandatar të ri. Zoti Kurti me të drejt po vepron që ta dështojë vetën si kandidat për kryeministër, sepse Lidhja Demokratike nuk po dëshiron të arrijë një marrëveshje me Vetëvendosjen dhe tashmë është botërisht e ditur se pas vizitës së ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, Lidhja Demokratike po kërkon që të marr pozitën e kryeministrit e vetme dhe të kërkojë një koalicion të mundshëm me partitë e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të thotë PDK, AAK dhe Nismën dhe ta lërë Vetëvendosjen në opozitë. Kjo kartë tashmë është në tavolinë dhe zoti Mustafa dhe elita politike e Lidhjes Demokratike po e kërkon me ngulm këtë kartë. A do të jetë e realizueshme do të pritet të shihet,por si mundësi po luhet”, thotë ai.

Por, çfarë ndodhë nëse zoti Kurti shkon në mbledhjen e parlamentit pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike dhe nuk merr votat as për qeverinë e pakicës?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse ai nuk siguron të paktën 61 vota sa duhen për miratimin e qeverisë, atëherë presidenti “emëron kandidatin tjetër për kryeministër”.

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kur Kosova ishte në një krizë politike, “është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për Kryeministër. Nuk duhet të përjashtohet qe Presidenti i Republikës mund të vendose t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverise se re, duke marre votat e nevojshme ne Kuvend. Gjykata konsideron se Presidenti i Republikës duhet te vlerësojë se cila është gjasa me e madhe qe një parti politike ose koalicion te propozoje kandidatin për Kryeministër, i cili do te marre votat e nevojshme ne Kuvend për formimin e Qeverise se re. Gjykata rithekson se neni 95, paragrafi 4, i Kushtetutës kërkon qe të ketë një kandidat tjetër për Kryeministër, por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për te propozuar kandidatin për Kryeministër”, thuhet mes tjerash në atë vendim të vitit 2014.

Nëse zoti Kurti dështon, atëherë presidenti pas këshillimeve me partitë politike mund të dekretojë kandidatin tjetër që do të ketë dhjetë ditë afat për formimin e qeverisë së re.

“Nuk fillon me automatizëm afati dhjetë ditësh. Afati fillon prej dekretit kur presidenti e lëshon për mandatarin e dytë. Ai fillimisht do të duhet të thërras të gjitha partitë për biseda në mënyrë që të kërkojë kandidatin dhe pas bindjes së tij, atëherë do të lëshojë një dekret presidencial sikurse në rastin Kurti për nominimin e një kandidati të ri për kryeministër që vetëm zoti Kurti nuk mund të jetë. Aktgjykimi i gjykatës Kushtetuese thotë se mund të jetë prapë partia e njëjtë por mund të jenë edhe parti potencialisht tjera, por në momentin kur e lëshon dekretin presidencial në atë moment fillon numërimi” tha zoti Qorrolli.

Nëse as kandidati tjetër nuk arrin të sigurojë formimin e qeverisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Marre nga VOA

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *