Qeveria, 230 mln euro borxh i fshehtë dhe detyrime të papaguara bizneseve

Ekonomi Lajme shtojca

Qeveria shqiptare krijoi mbi 100 milionë euro borxh të fshehtë vetëm vitin e kaluar duke mos i kthyer TVSH-në bizneseve private. Shifrat janë bërë publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili vëren se buxheti i shtetit ka nisur sërish të krijojë detyrime të prapambetura.

Sipas FMN, në fund të vitit 2017, totali i borxheve të prapambetura që ka sektori publik arriti 210 milionë euro. Nga kjo shifër 132 milionë euro janë borxh i fshehtë i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër detyrime të prapambetura që bashkitë kanë ndaj bizneseve private.

Por ndonëse borxhi i bashkive është i trashëguar prej disa vitesh, ai i qeverisë qendrore është krijuar thuajse i gjithë vitin e kaluar. Sipas FMN, këto para qeveria duhet t’ja kishte paguar bizneseve private për të rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por nuk e ka bërë duke i raportuar si të ardhura në buxhetin e shtetit.

Në raportin e detajuar, sipas Top Channel, FMN thotë se pjesa dërrmuese e TVSH-së së parimbursuar u përket vetëm tre kompanive, të cilat janë duke realizuar investimet më të mëdha në vend duke përfshirë gazjsllësin Transadriatik.

Vetë qeveria e pranon se nuk i ka kthyer në kohë TVSH-në këtyre kompanive. Por ministria e Financave tha për Top Channel se këto pagesa janë riskeduluar në marrëveshje me bizneset, ndaj nuk mund të konsiderohen si borxh i prapambetur.

Detyrimet e fshehta ndaj biznesit ishin arsyeja kryesore se pse borxhi publik i Shqipërisë kërceu në 73 për qind e prodhimit kombëtar. Pas zgjedhjeve të 2013-ës, qeveria e Edi Ramës mori 726 milionë dollarë hua për të paguar detyrimet e prapambetura të lënë nga qeveria e mëparshme.

Madje kjo çështje u shndërrua në një nga kartat kryesore të fushatës së Partisë Socialiste, ku Edi Rama premtoi çlirimin e biznesit nga kjo padrejtësi. Por sipas FMN, pesë vjet më vonë, qeveria ka nisur sërish të mos paguajë biznesin.

Por edhe pse borxhi publik është në ulje, FMN thotë se ritmi i uljes së tij duhet të jetë më i fortë. Për këtë kërkon edhe disa korrigjime fiskale të cilat mbështeten në rritjen e taksave.

Indeksimi i normës së inflacionit në taksat kombëtare të hidrokarbureve, karbonit dhe asaj të regjistrimit të mjeteve.

Futjen në tvsh për disa makineri të përjashtuara, shitjen e pronave dhe edukimin.

Rikthimin e taksës së tatim fitimit për biznesin e vogël.

Zvogëlimin e pragut për taksimin zero për pagat minimale.

Dhe vendosje e akcizave në veprimtaritë që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, thotë se pavarësisht disa problematikave, Shqipëria vijon një rritje ekonomike të fortë e të qëndrueshme. Për vitin 2018-ë, rritja parashikohet në nivelet 3.6%, ndërsa thuhet se është jetike që qeveria të përfitojë nga hapja e negociatave për në Bashkimin Europian, si një element që do t’i japë shtysë ekonomisë së vendit.

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *