Rama shkartis deputetët në Tiranë, ja si ndryshojnë zonat

Kryesore Lajme Politikë

Afrimi i zgjedhjeve vendore, por edhe goditja që mori Partia Socialiste nga akuzat ndaj ish- kryetarit të saj në Tiranë, Sajmir Tahiri, si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka detyruar socialistët që të riorganizojnë nga e para gjithë strukturën politike në kryeqytet. Kështu, veç zëvendësimit disa muaj më parë të Sajmir Tahirit me Blerina Gjylametin në krye të PS-së së Tiranës, socialistët kanë bërë dhe shkartisje të të gjithë deputetëve në zonat që mbulojnë në Tiranë.

Kjo jo vetëm për arsyet e mësipërme, por edhe si një lëvizje e detyruar për të shmangur pakënaqësitë që mund të ketë elektorati i zonave të caktuara ndaj deputetit të zonës, si dhe për të shkëputur të gjitha lidhjet favorizuese që i zgjedhuri në parlament mund të ketë ndaj personave të preferuar në zonë.

Kështu, në Njësinë 1 në kryeqytet kalon deputetja Vasilika Hysi, e cila deri më tani mbulonte Njësinë 7. Ajo do të zëvendësojë pikërisht, deputetin Besnik Bare, i cili ka kaluar në një tjetër njësi. Ndërkohë që në Njësinë 4 ka kaluar deputeti Sadri Abazi, i cili do të zëvendësojë pikërisht kryetaren e PS-së, Blerina Gjylameti. Abazi deri më tani mbulonte zonën e Kamzës.

Gjithashtu, zonë ka ndryshuar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiriliu, e cila nga Njësia 9 ka kaluar në Njësinë 11 në Laprakë. Ajo zëvendëson në këtë zonë Rakip Sulin, i cili vet kalon në zonën e Paskuqanit. Edhe kryetarja e re e Partisë Socialiste të Tiranës, Blerina Gjylameti ka tashmë një zonë të re në ngarkim. Ajo duhet të zëvendësojë pikërisht Sajmir Tahirin në Njësinë 6 në Kombinat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *