Reagimi ndaj Kosovës, Vuçiç konsulta me Putin

Kosovë Rajon

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i ka kërkuar këshilla homologut të tij rus, Vladimir Putin, se si t’i kundërvihet ‘dhunës dhe agresionit të Kosovës ndaj serbëve’, siç u shpreh ai.

 Në një deklaratë të publikuar nga zyra e Presidentit serb, thuhet se ai e ka informuar aleatin e tij mbi atë që e quan ‘sulm brutal’ të policisë së Kosovës, ndaj një zyrtari serb. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u arrestua dhe u dëbua pasi hyri në Mitrovicë pa lejen e autoriteteve.

‘Vuçiç u konsultua me Putin, pasi është e qartë se shqiptarët e Kosovës gëzojnë mbështetje të gjerë nga një numër vendesh perëndimore, që e ndihmuan për shpalljen e njëanshme të Pavarësisë, 10 vjet më parë’, vijon më tej deklarata. Megjithatë nuk sqarohet nëse numri një i Kremlinit i ofroi ndonjë këshillë homologut serb.

Ndërkaq në një reagim të Kremlinit thuhet se presidenti Vladimir Putin e dënoi me termat më të ashpër arrestimin e zyrtarit serb. Përmes një komunikate, bëhet e ditur se i pari i Moskës dhe presidenti Vuçiç, diskutuan për çështjen e Kosovës “në kontekstin e aksionit provokues të Prishtinës”, siç thuhet, kundër Marko Gjuriçit.

Në deklaratë thuhet se Putini “e dënoi me vendosmëri” arrestimin e zyrtarit serb, veprim që sipas tij “shkel rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Serbia, e cila po përpiqet të integrohet në BE pa i humbur lidhjet me Rusinë, e bëri të qartë mbrëmjen e së mërkurës se nuk do t’i bashkohej fushatës së dëbimit të diplomatëve rusë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *