Reforma zgjedhore, blerja e votës dhe numërimi elektronik

Editorial

Bernd Borchardt*

 

Do të doja të filloja duke lavdëruar Komisionit të Posaçëm për përkushtimin në fillimin e punës për reformën zgjedhore. E kam thënë edhe në veprimtari të tjera që ekziston nevoja për një reformë të plotë dhe në kohë, që të adresojë rekomandimet e mirënjohura të ODIHR-it dhe çëshjet kyçe që prekin zgjedhjet demokratike.

Sikurse u theksua nga ODIHR-i në raportin e 2017-s, Komisioni duhet t’i japë përparësi punës për të adresuar çështjet e vazhdueshme të blerjes së votës. Akuzat e shumta për blerje vote kanë cenuar besimin e publikut dhe nevojitet vullnet politik për t’iu kundërvënë këtij fenomeni. Ne po u kushtojmë vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori. Tri çështjet që kanë shkuar në gjykatë deri tani janë një fillim, por vetëm një fillim.

Lidhur me një çështje tjetër të madhe, teknologjitë e reja të votimit, praktikat më të mira tregojnë se vendimet për përdorimin e teknologjive të reja nuk duhet të vihen menjëherë në zbatim në zgjedhjet e radhës, por, më parë, duhen testuar. Ne kemi sugjeruar në vijimësi që të bëhet një testim në një numër të kufizuar zonash, gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Edhe për këtë testim të kufizuar, nevojitet kohë për të realizuar studimet e fisibilitetit, testimin, pilotimin, ndërtimin e besimit të publikut, edukimin e zgjedhësve dhe trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë. Votimi elektronik mund të pakësojnë disa rreziqe për zgjedhjet, por krijon rreziqe të reja, për shembull rrezikun e hakerave, nëse bëhet online. I takon Shqipërisë të vendosë nëse kostoja e këtij lloj votimi është e justifikueshme. Nga pikëpamja jonë, ne kemi inkurajuar përdorimin e numërimit elektronik, i cili nuk kushton shumë dhe do të kontribuonte për depolitizimin e administratës zgjedhore.

Çështja e dytë e madhe e momentit është votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit, ku sfida është e madhe për të gjetur balancën ndërmjet sigurimit të të drejtës së votës për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe garantimit të paprekshmërisë dhe sigurisë së votës. Nuk duhet të ekzistojë asnjë mënyrë që të bëhet lidhja e individit me votën e tij, pasi ka kryer votimin. Për këtë kërkohet një sistem disi i ndërlikuar. Ne shpresojmë që komisioni të vendosë së shpejti për mekanizmin e votimit – qoftë me postë, apo në ambasadë, apo në ndonjë mënyrë tjetër – si edhe për sistemin e votimit, ku numërohen votat, për shembull, në kryeqytet apo në zonën e fundit të banimit apo gjetkë. E gjithë kjo është e nevojshme për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm. Praktikat e mira ndërkombëtare tregojnë se praktikat e votimit në internet paraqesin rreziqe të larta, për shkak të sulmeve kibernetike dhe të lidhjes të votës me votuesin. Këto janë vendime të rëndësishme që duhen marrë. Kam parë një plan shumë ambicioz të Komisionit, për të cilin do të na flasin dy bashkëkryetarët. Si Prezencë e OSBE-së në vend, ne, padyshim, mbetemi të gatshëm, së bashku me kolegët tanë të ODIHR-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, për ta mbështetur këtë proces.

Fjala e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *