Rruga e vështirë drejt transformimit të mediave në Kosovë

Opinion

 

 

Nga Arta Berisha

 

Raportimi se amerikanët kanë ndryshuar qëndrim dhe favorizojnë ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve ishte një lajm që shqetësoi qytetarët e Kosovës. Përpjekja për të interpretuar dicka që nuk është thënë në intervistën e ambasadorit amerikan në Koha Vision (KTV), solli klikime në portale, dilema tek qytetarët si dhe reagim të ambasadës amerikane. Loja me lajmet për territore, interpretimi dhe kahja që u jepet këtyre lajmeve në kohën kur qytetarët janë në pritje të vendimeve të mëdha, sjellin përfitime nëpërmjet klikimeve tek portalet në Kosovë.

 

Para disa javësh, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, përgënjeshtroi intepretimet rreth intervistës së tij për qëndrimin e SHBA-ve mbi rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. «Injoroni lajmin e rremë», shkroi ai në Twitter me datën 20 korrik, një ditë pas transmetimit të intervistës së tij në KTV. Delawie nënvizoi se ka thënë se Kosova duhet t’i ketë të qarta qëllimet e saj në dialog. Intervista u transmetua me datën 19 korrik në kanalin kombëtar televiziv Koha Vision.

 

Termi «Fake News» apo «lajm i rremë» ka filluar të shmanget nga përdorimi prej studiuesve kredibilë të fushës. Kjo për faktin se nuk përfaqëson tërë çrregullimin e informacionit që ndodhë në kanalet e informimit online. Lajmet e para që u publikuan mbi intervistën e ambasadorit amerikan në KTV nuk ishin tërësisht false. Ato ishin interpretim i paplotë, mbi bazën e statusit të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti në Facebook, i bërë në kohë reale në mbrëmjen që po transmetohej intervista. Sipas Ahmetit, ambasadori amerikan po thoshte se në dialog çdo gjë është e diskutueshme, pra edhe ndarja, shkëmbimi i territoreve dhe çdo opsion tjetër. Ahmeti erdhi në këtë përfundim dhe postoi në Facebook mendimin se ka ndryshuar qëndrimi amerikan karshi Kosovës. Kësisoj, interpretimi apo hamendësimi i Ahmetit u bë lajm. Krahas kësaj, nuk munguan edhe lajmet me pikëpyetje, thirrja në mediat serbe dhe citimet e gabuara të intervistës së ambasadorit amerikan në titujt e disa portaleve – duke i vënë shenjën «dy pika» pas mbiemrit të ambasadorit «Delawie» që të kuptohet se fjalia pasuese është thënë nga ai. Disa tituj të portaleve në Kosovë: «Delawie: Në Brukel mund të flitet për territore». «Mediat serbe: ambasadori amerikan ndryshoi qëndrimin, Kosova mund të ndahet». «A do të ketë ndarje të Kosovës në Bruksel, e papritur cfarë thotë Delawie?»

 

Nëse e analizojmë terminologjinë e përdorur nga ambasadori amerikan në intervistë, ai nuk i përmend opsionet e ndarjes dhe shkëmbimin e territoreve. Delawie refuzoi t’i përgjigjet interesimit të gazetarit për këtë temë. Në gazetari heshtja nuk do të thotë pohim i pyetjes së gazetarëve; do të thotë refuzim në përgjigje, kaq.

 

Portali koha.net, i cili bashkë me televizioni Koha Vision janë pjesë e grupit medial Koha, e ka publikuar intervistën e plotë në formën audio vizuale si dhe të transkriptuar. Intervista e plotë në gjuhën angleze është publikuar edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë. Monitorimi i lajmeve mbi këtë temë tregon se portalet e kanë vënë në spikamë shënimin e Shpend Ahmetit në Facebook dhe jo citatet nga intervista e ambasadorit amerikan në KTV.

Lajme të shkurtëra mbi këtë intervistë janë publikuar vazhdimist nga Koha.net. «SHBA nuk e mohon se në Bruksel do të flitet për territore, ua le këtë palëve» – është titulli i lajmit kryesor të koha.net mbi këtë cështje. Në ditën e transmetimit të intervistës, është paralajmëruar intervista nëpërmjet një teksti të shkurtër. A ka ndryshuar qëndrimi amerikan sa i përket marrëveshjes finale të Ksovës me Serbinë? Dhe a mbetet mos-ndarja e Kosovës ende vijë e kuqe për SHBA-në? Janë dy pyetjet e para në të cilat koha.net paralajmëron se ambasadori Delawie do të përgjigjet në intervistën e mbrëmjes në emisionin Rubikon. Teksti me përmbajtje të njëjtë është postuar edhe në formë statusi në llogarinë personale të drejtuesit e emisionit Adriatik Kelmendi. Lajmet për intervistën e ambasadorit amerikan kanë nxitur reagimet e ndryshme të autoriteteve të institucioneve qendrore në Kosovë. «Çka thotë dikush është diçka tjetër, nuk mund ta ndalë askush, unë e kam përsëritur dhe e përsërisë se ndarja është luftë, unë e di që askush nuk do luftë në Ballkan», ka thënë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë një vizite në komunën e Lipjanit, menjëherë të nesërmen.

 

Për profesionistët e fushës dhe për opinionin publik, tashmë nuk është risi që tregu i mediave dhe mënyra e të bërit gazetari në Kosovë ka ndryshuar – në formë dhe në përmbajtje. Studimet tregojnë që depërtimi dhe përdorimi i internetit në Kosovë është i krahasueshëm me vendet e zhvilluara. Kosovarët janë përdorues pothuaj të përhershëm të internetit. 86,7 për qind e kosovarëve përdorin internetin çdo ditë. Këtë e kanë treguar të dhënat e Shoqatës për teknologji dhe informacion në Kosovë në vitin 2013. Ndërkohë kjo përqindje mund të jetë rritur, duke pasur parasysh digjitalizimin në pesë vitet e fundit.

Në përputhje me këtë janë edhe portalet e informacionit, që hapen shpesh dhe shpejt; varësisht nga situata dhe nevoja ato me të njëjtin ritëm pushojnë së funksionuari. Lajmi i shkurtër, i shoqëruar me fotografi dhe video, shpesh amatore, është zhanri më praktik i shkrimit në shumicën e portaleve online.

 

Historia e krijimit të mediave në Kosovë që kanë bazë internetin është relativisht e re. Krijimi i faqeve informative me ndikim në opinionin publik është popullarizuar në dekadën e fundit pavarësisht se mediat tradicionale kanë qenë të pranishme online edhe më herët. Qëndrueshmëria e dobët financiare ka bërë që gazetat të zhvillohen më ngadalë në një kohë që audienca ka ikur me kërkesat e saj në botën digjitale. Disa prej të përditshmëve kosovare janë mbyllur e disa të tjera kanë kaluar tërësisht në versionin online. Për shembull, në muajin dhjetor të vitit 2015 janë shtypur numrat e fundit të gazetës «Tribuna». Pas shumë përplasjeve të pronarit me gazetarë për shkak të vonesës së pagave, kjo gazetë u mbyll për të kaluar në versionin online dhe televizion. Tre vite pas, gazetarët e këtij mediumi sërish ankohen, sepse nuk u janë dhënë rrogat. Në vitin 2010 një grup prej tre gazetarësh themeloi portalin Indeks Online, atëbotë kreativ në dizajn dhe në plasimin e lajmeve. Sot ky portal nuk është në pronësi të gazetarëve. Gazeta Express braktisi botimin e shtypur për të kaluar tërësisht online dhe për një kohë të shkurtër u bë prijëse sa i përket ndjekjes nga ana e lexuesve apo klikuesve. Në Këshillin për Mediat e Shkruara, organ ky që angazhohet për etikë dhe profesionalizëm në gazetari, janë të anëtarësuara gjithsej 27 media të shkruara; në kohën e shkrimit të këtij artikulli. Këtu bëjnë pjesë gazetat e përditshme, portalet e lajmeve, gazetat periodike, revistat dhe agjensitë e lajmeve.

 

Numri më i madh i anëtarëve i takon mediave online. Por, ka edhe dhjetëra portale të tjera që nuk janë anëtare të këshillit – megjithatë, këshilli trajton edhe ankesat kundër mediave të shkruara joanëtare. Këshilli inkurajon qytetarët dhe të tjerët të ankohen kundër gazetarisë joprofesionale dhe beson se vetërregullimi i mediave të shkruara dhe elektronike nuk do të arrihej pa rolin e lexuesve dhe të vizitorëve të këtyre mediave. Por, duket se dërgimi i ankesave në adresë të këshillit nuk e zgjidhë tërë problemin e çrregullimit të informacionit online. Raporti i progresit i vitit 2018 thekson se as Komisioni i Pavarur për Media dhe as Këshilli nuk e monitorojnë lirinë e shprehjes online. Kështu sipas raportit krijohet një mjedis veprimi i papenguar për mediat online, që zvogëlon privatësinë e individeve, duke çuar kështu në gjuhë të urrejtjes dhe shpifjes. «Raste të tilla duhet të ndiqen plotësisht», thotë raporti. Megjithatë, Komisioni Europian e cilëson zhvillim pozitiv faktin se mediat online në Kosovë kanë filluar ta publikojnë impresumin, por thekson se informatat mbi pronësinë e mediave – veçanërisht atyre online – mbetesin të paqarta dhe shpesh fiktive pasi shumica e mediave nuk tregojnë informata për financat e tyre dhe pronësinë e vërtetë.

 

Në këtë linjë janë edhe gazetarët profesionistë në Kosovë. Në një raport të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) gazetarët e intervistuar kanë theksuar se vërshimi i portaleve në skenën mediale duke plasuar shpesh lajme pa verifikimin e burimeve ka cënuar standardet profesionale dhe kodet e etikës. Kjo kryesisht ndodh për shkak të «fuqisë së klikimeve», pasi portalet janë më shumë të interesuara për shpejtësinë dhe jo për verifikime, thuhet në raportin me titull: «Treguesit për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve», 2017. Kushtetuta e Kosovës garanton dhe mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave. Ligji themelor i shtetit do të duhej të përfshinte edhe informacionin që ka për bazë internetin, pa marrë parasysh sa është numri i portaleve. Është tejet e rëndësishme që të ketë një angazhim të vendosur për të vërtetën, të vërtetën edhe online, sepse kujt tjetër pos të vërtetës i detyrohet gazetaria – pa marrë parasysh si publikohet ajo, në letër apo në botën digjitale. Gazetari amerikan Walter Lippman te «Opinioni publik» shpjegon se funksioni i së vërtetës është që të hedhë dritë mbi faktet e fshehura, t’i vendosë në marrëdhënie njëri me tjetrin dhe të krijojë një fotografi të realitetit në bazë të të cilit njerëzit mund të veprojnë. Fundja, shkruan Lippman, lexuesit presin që gazetat t’i shërbejnë me të vërtetën pavarësisht se sa jofitimprurëse mund të jetë.

 

Ky projekt është financuar në kuadër të skemës së nën-granteve të përkrahur nga Bashkimi Europian, Zyra në Kosovë, dhe zbatuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Asosacioni i Gazetarave të Kosovës.

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *