Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një letre ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, shpreh vlerësimin e tij për “legjislatorin e talentuar”.
Teksa shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Hajdaragës, ai thotë se figura e tij do të shërbejë si “model për dituritë, energjitë dhe shpirtmadhësinë e tij”.
Ruçi shotë se Hajdaraga, “si një njeri i rrallë i arsimit, kulturës dhe interesit publik, ka dhënë kontribut si rrallëkush për të majtën shqiptare”.
“Si bashkëthemelues dhe zëvendëskryetar i Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga kontribuoi si rrallëkush me kapacitetet, pasionin dhe përkushtimin e tij për ndërtimin e të majtës moderne shqiptare dhe perpunimin e zbatimin e programeve të saj politike dhe qeverisëse.
Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për disa legjislatura, Luan Hajdaraga u shqua si një legjislator i talentuar, përfaqësues i spikatur i qytetarëve shqiptarë.
Si ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, Luan Hajdaraga u dallua për devocionin e tij në shërbim të atdheut dhe sigurisë kombëtare, si një personalitet shtetërore dhe partner dinjitoz i aleatëve ndërkombëtarë.
Luani do të na mungojë të gjithëve, juve si bashkëshrot e prind i dhembshur, me shpirt të ndjeshëm dhe zemër të madhe, ndërsa ne, miqtë e kolegëve të tij, si një shok e vëlla i pazëvendësueshëm.
U prehtë i qetë, në dheun e Shqipërisë, të cilës iu përkushtua me dituritë, energjitë dhe shpirtmadhësinë e tij”, shkruan Ruçi ne letren ngushelluese derguar familjes se Hajdarages.
Kuvendi i Shqiperise ben te ditur se “Në nderim të figurës së ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, i cili u nda nga jeta sot paradite, Kuvendi i Shqipërisë organizon homazhe në sallen e seancave plenare, nesër, në datën 31 korrik, nga ora 10:00-12:00. Pas ceremonise behet percjellja per ne varrezat e Tufinës”.