Ryshfeti në drejtësi, tarifat 80 mijë € për çështje, 300 mijë € emërimi

Politikë shtojca

Një analizë e detajuar e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, që projektuan reformën në drejtësi, ka zbardhur për herë të parë mekanizimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë si dhe tarifat e ryshfetit për çështje të ndryshme penale si për emërimin në sistemin e drejtësisë. Sipas analizës, për të ndryshuar masën e sigurisë tarifa e ryshfetit shkon nga 60 deri në 80 mijë euro. Ndërkaq, për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë tarifa shkon nga 100 deri në 300 mijë euro. “Duke qenë se shifrat që thuhet se paguhen për këto pozicione janë marramendëse (100.000 deri 300.000 Euro për disa pozicione), është e natyrshme të besohet se këta funksionarë të drejtësisë do të korruptohen për t’i rimarrë (dhe mundësisht shumëfishuar) ato. Të dhëna jo zyrtare që qarkullojnë në publik dhe janë konsistente në kohë, sugjerojnë se cikli i pagesave korruptive fillon që me policinë gjyqësore, oficerë të korruptuar të së cilës pranojnë pagesa për të shkatërruar provat në vendin e ngjarjes. Më tej prokurorë të korruptuar pranojnë pagesa për të mos e filluar një çështje ose për të mos ngritur akuzë (1000 deri në 2000 euro për çështje standarde). Vlen të veçohet perceptimi në lidhje me shifrat që duket se paguhen për të ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpie ose detyrim për paraqitje (60.000 – 80.000 Euro). Gjyqtarë të korruptuar zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar (ndonjëherë edhe zbardhjen e vendimit) në pritje të ryshfetit”, thuhet në analizën e ekspertëve.

Sekseri  
Sipas analizës ryshfeti nuk jepet drejtpërdrejt, por me ndërmjetësinë e një personi të tretë. “Madje ka të dhëna se disa gjyqtarë bëjnë lojë të dyfishtë duke përfituar ryshfete nga të dyja palët. Sikur të mos mjaftonte kjo, shpesh dhënia e ryshfetit nuk siguron rezultatin e dëshiruar. Në fakt nuk mungojnë historitë nën zë, që tregojnë për avokatë (ose ndërmjetës të tjerë) të cilët e kërkojë ryshfetin, gjoja në emër të gjyqtarit ose prokurorit, dhe e mbajnë për vete. Ndonëse jo e dokumentuar si në Ukrainë, situata në Shqipëri nuk duket fort e ndryshme edhe sa i takon formave konkrete të korrupsionit dhe mënyrës së dhënies/marrjes së përfitimeve të paligjshme. Duket se tipikisht, ryshfeti nuk jepet drejtpërdrejt por me ndërmjetësinë e një personi të tretë (fjala “sekser” përdoret rëndom në zhargon) ndonëse nuk përjashtohen kontaktet personale të të interesuarve me gjyqtarin ose prokurorin. Shpesh sekseri është një i afërt i familjes së gjyqtarit ose prokurorit, një mik i përbashkët, ose një avokat”, thonë ekspertët.

Ndarja e parave
Analiza jep të dhëna edhe për ndarjen dhe fshehjen e parave të ryshfetit mes palëve. “Në çdo rast, sekseri është një person që gëzon besimin e gjyqtarit ose prokurorit për shkak të marrëdhënieve të vjetra private ose kontakteve të qëndrueshme të punës. Në përgjithësi ka të dhëna për një strukturë të mirëpërcaktuar të shifrave që paguhen për shërbime të ndryshme. Madje flitet edhe për ndarje të paracaktuar të përfitimit të paligjshëm midis gjyqtarit/prokurorit dhe ndërmjetësit ose personave brenda zyrës së gjyqtarit/prokurorit të cilët duket se marrin një përqindje për lehtësimin e kalimit të ryshfetit nga korruptuesi tek i  korruptuari. Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose iu jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar”, thuhet në studim.

Zgjerimi
Ekspertët kanë arritur në konkluzionit se pjesë e skemës së korrupsionit në gjyqësor janë edhe administratorët dhe kancelarët. “Ndonëse pagesat me para në dorë janë forma e preferuar, përfitimet e paligjshme duken se marrin një mori formash të tjera si p.sh. dhënia e mundësive për biznes, punësimi i të afërmve, falja, shitja fiktive ose shitja me çmime të favorshme e pasurive të patundshme si parcela toke, apartamente në bregdet etj. Gjykatat dhe prokurorët nuk janë të vetmit aktorë të korruptuar në sistem. Ka gjasa që edhe administratorët dhe kancelarët të jenë pjesëmarrës në korrupsion. Rasti më i mundshëm ka të bëjë me shortin dhe caktimin e çështjeve për gjykim. Gjyqtarët janë ankuar publikisht, në analizat vjetore të gjykatave, që atyre nuk ju caktohen çështje “me përfitim”, ndërkohë që gjyqtarëve të preferuar ju jepen këto gjykime rregullisht. Ka të dhëna që flasin për kryetarë gjykatash që udhëzojnë administratorët e rrjeteve informatikë/kancelarët e gjykatave që t’ ju caktojnë çështje gjyqtarëve të veçantë”, thuhet në analizë. Burimi Shqiptarja.com

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *