27 persona janë arrestuar të martën dhe ditën e sotme pasi dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me ndërtimet të cilat pësuan dëmtime serioze nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë. Po kështu 11 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
I fundit i arrestuar është ndërtuesi, Fejzo Dyrmishi i cili u ndalua këtë të enjte. Ndërkohë 6 prej personave të shpallur në kërkim, nga informacionet në sistemin TIMS rezulton që të jenë jashtë vendit.
Një ditë më parë Prokuroria firmosi 38 urdhër ndalime për ish-zyrtarë vendorë, inspektorë ndërtimi, arkitektë, inxhinierë dhe ndërtues në disa komuna të Tiranës, Farkë, Kashar dhe bashkinë Vorë, dhe 27 prej të cilave u ekzekutuan nga Policia e Tiranës pasditen e djeshme dhe sot.
Mes të ndaluarve janë edhe ish-kryekomunari i Farkës, Fatbardh Plaku dhe ai i Kasharit, Besnik Fuçia, si dhe shefi i Urbanistikës në Vorë, Luan Beta, dhe Adhurim Qehahaj, ish-shef i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit. Ata dyshohen të kenë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara, për ndërtime të një cilësie të dobët, duke ndërhyrë në strukturë me hollimin e bazamenteve mbajtëse të tyre.
Nga hetimet rezulton se 140 objekte nuk kanë dosje projektimi sizmik kur janë ndërtuar. Ndërkohë edhe materialet e ndërtimit sipas prokurorisë nuk janë shoqëruar me certifikatë teknike sipas standardeve. Në dosje thuhet se hetimet pas Farkës, Kasharit e Vorës janë shtrirë edhe në zonën e Freskut dhe në Kamëz.
reth një muaj më parë Prokuroria e Durrësit lëshoi 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë, por 9 prej tyre u liruan nga gjykata.
Gjatë kësaj kohe në prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur dhjetëra kallëzime penale, ku banorë të ndryshëm denoncojnë në prokurori dhe polici, pronarët e bizneseve të kateve të para, të cilat i kanë kthyer apartamentet e pallateve të kateve të para në lokale. Shqiptarja.com
LISTA
1. Fatbardh Plaku ish-kreu i Komunës Farkë
2. Besnik Fuçia, ish-kreu i Komunës Kashar
3. Luan Beta, ish-kreu i Urbanistikës, Vorë
4. Anila Harxhi, arkitekte
5. Merita Kushi
6. Bukurije Halili
7. Asqeri Xhanari
8. Vjollca Hoxholli (ndërtuese)
9. Gerti Çalliku
10. Jani Ikonomi
11. Qirjako Gjergo
12. Sherbet Shehi
13. Naim Shehi
14. Ermir Çina
15. Adhurim Qehajaj
16. Gëzim Shkalla
17. Pëllumb Fortuzi (ndërtues)
18. Xhevahir Doda
19. Reis Muça
20. Hekri Disha
21. Agim Eski
22. Faik Fejzo
23. Zhaneta Tagani
24. Muhamed Felahi
25. Ndoc Pepkola
26. Hekri Disho
27. Fejzo Dyrmishi (ndërtues)