Pas skandalit, çmimi Nobel për letërsi shtyhet me 1 vit

Kulturë Libra

Gjurma 4 Maj 2018

Çmimi Nobel për letërsi nuk do të jepet këtë vit, pas akuzave për abuzim seksual dhe çështje të tjera brenda radhëve të Akademisë Suedeze, që zgjedh fituesin.

Akademia tha të premten se çmimi për vitin 2018, do të ndahet në vitin 2019. Vendimi u mor në takimin javor në Stokholm, me arsyetimin se akademia nuk është në gjendje të zgjedhë një fitues pas një varg pretendimesh për abuzime seksuale dhe krime financiare.

Sekretari i përhershëm i akademisë, Andres Olsson, tha se “është e domosdoshme që të t’i kushtojmë kohë ripërtëritjes së besimit të publikut ndaj Akademisë, para se të shpallet fituesi i radhës”. Ai tha se akademia po vepron kësisoj “në shenjë respekti ndaj fituesve të deritashëm dhe atyre të ardhshëm, fondacionit Nobel dhe publikut”.

Kjo është hera e parë që nga viti 1943, kur çmimi prestigjioz nuk ishte ndarë.

Problemet në Akademinë Suedeze, shpërthyen pas një skandali lidhur me Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, që është edhe bashkëshorti i poetes Katarina Frostenson, anëtare e akademisë.

Akademia më vonë pranoi se “sjellje të papranueshme në formën e intimitetit të padëshiruar” kanë ndodhur brenda radhëve të saj, por trajtimi i akuzave të pahijshme ka dëmtuar besueshmërinë, ka vënë në pikëpyetje gjykimin e saj dhe e detyroi udhëheqësen e parë femër të japë dorëheqje.

E pllakosur nga një skandal abuzimesh seksuale, akademia suedeze njoftoi më herët se Nobeli i Letërsisë, sivjet nuk do të jepet, çka e bën këtë të parën herë në 75 vite që juria e fshehtë, përgjegjëse për dhënien e çmimit më prestigjioz të botës në këtë fushe, do ta anashkalojë ceremoninë në Vjeshtë.

Fituesi i 2018-tës do të shpallet më vonë, së bashku me atë të vitit 2019. Gjithçka lindi nga afera e ngacmimeve në të cilën është përfshirë edhe vetë Princesha e Kurorës, Viktoria e Suedisë, e ekspozuar së fundi si një prej viktimave të fotografit franko-suedez Jean-Claude Arnault, bashkëshort i poetes Katarina Frostenson, pjesëtare e akademisë.

Tre persona kanë rrëfyer deri tani se e kanë parë me sytë e tyre Arnalud teksa ngacmonte princeshën gjatë një eventi në 2006-tën; një prej asistenteve madje ka ndërhyrë për ta ndihmuar duke u hedhur mbi fotografin e duke e larguar me forcë.

Ky është skandali më i madh që prek Nobel që prej dorëzimit të parë të çmimit prestigjioz në 1901-shin. Akademia shpjegoi se vendimi u mor për shkak të asaj që e përshkroi si “mungesë të besimit publik”.

Dalja në këtë përfundim nuk ishte e lehtë: disa prej anëtarëve të saj këmbëngulnin që çmimi të ndiqte traditën, të tjerë argumentonin se në këtë moment, institucioni nuk është në gjendje të bëjë prezantimin e tij.

Përveç 6 viteve gjatë luftërave botërore, Nobeli nuk është dorëzuar vetëm një here, në 1935-sën për arsyen se nuk u arrit të gjendej asnjë fitues i denjë për të.

Arnault, i cili drejtonte një projekt kulturor të financuar nga Akademia Suedeze, akuzohet nga 18 gra për ngacmime seksuale madje disa nga incidentet ndodhin në prona që i përkasin organizatës.

Vetë e bashkëshortja e tij, Frostenson, dha dorëheqjen se bashku me kryetaren e akademisë, Prof. Sara Danius.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *