Sot Kupa e Italisë, Juve e Milan përplasin “brirët”

Botë Sport

Gjurma 9 Maj 2018

Mbrëmjen e sotme në stadiumin Olimpico të Romës, bardhezinjtë dhe kuqezinjtë do të masin forcat në një përballje titanësh. Juventusi është në kërkim të trofeut të 13-të në këtë kompeticion dhe të 4-it radhazi një rekord ky për futbollin e kohëve moderne në Itali. Ndërkohë për Milanin Kupa është trofeu i vetëm me të cilin mund të shpëtojë sezonin. Me suksesin numër 6-të në këtë kompeticion Milani do të siguronte zyrtarisht pjesëmarrjen në grupet e Europa League për sezonin e ardhshëm. Në finalen e fundit mes tyre kanë triumfuar kuqezinjtë të cilët në 2016-ën i mposhtën bardhezinjtë në Superkupën e Italisë së zhvilluar në Doha pas goditjes së penalltive. Kjo do të jetë finalja e parë si trajner për Genaro Gattuson me Milanin ndërkohë që në krahun tjetër Massimiliano Allegri me një triumf të mundshëm do të vendoste një rekord absolut duke u bërë trajneri i parë që fiton kampionatin dhe Kupën për 4 vite radhazi, në 5 ligat më të rëndësishme europiane.

Në rast fitoreje të kësaj finaleje, Juventusi ka mundësinë ta mbyllë sezonin me dy trofe, ndërsa Milani do të kërkojë të fitojë trofeun e tij të parë nën drejtimin e pronarëve të huaj.

Për më tepër, një sukses mbrëmjen e sotme i jep të drejtën Milanit të Gattusos të marrë pjesë në Europa League, duke u kualifikuar drejtpërdrejt në fazën e grupeve.

Kjo do të jetë edhe finalja e protagonistëve të tillë si Allegri, për të cilin ky mund të jetë trofeu i parafundit me Juventusin përpara se të shkojë te ndonjë skuadër tjetër, ndërkohë që pret atë të kampionit të Italisë. E njëjta histori edhe për Gianluigi Buffon, që do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur.

Kjo e sotmja do të jetë përballja e 24-t mes Juventusit dhe Milanit në Kupën e Italisë. Bardhezinjtë kanë 10 fitore kundrejt 7 të kuqezinjve, ndërsa 7 sfida kanë përfunduar në barazim. Kjo do të jetë hera e pestë që Juventusi e Milani luajnë në finalen e Kupës. Në 4 sfidat e mëparshme, Juventusi e ka fituar 3 herë trofeun, ndërsa Milani iu është imponuar torinezëve vetëm një herë.

Po të përfshijmë edhe Superkupën e Italisë dhe Champions League, rezulton se të gjitha finalet e luajtura mes këtyre dy skuadrave kanë përfunduar në kohë shtesë, e në vetëm njërën prej tyre fituesi nuk është përcaktuar nga 11-metërshat.

Juventusi është skuadra që ka fituar më shumë herë Kupën e Italisë, plot 12. Ndërsa Milani e ka ngritur trofeun e këtij kompeticioni 5 herë, më e fundit në vitin 2003.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *