Trump rrëzon paktin, Irani: Do të vazhdojmë aktivitetin bërthamor

Botë Rrotull

Gjurma 9 Maj 2018

Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke deklaruar se ai po e bën botën më të sigurt.

“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime të zbrazëta,” tha ai në një fjalim televiziv nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë. Vendimi përbën një goditje ndaj aleatëve të SHBA dhe mund të thellojë izolimit e presidentit Trump në skenën botërore.

Trump tha se marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte një marrëveshje “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, që nuk duhet të ishte bërë kurrë.” Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike.”

Vendimi i Presidentit Trump nënkupton se qeveria e Iranit duhet të vendosë nëse do tërhiqet ashtu si SHBA, apo do të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga marrëveshja. Irani ka ofruar deklarata kundërthënëse në lidhje me vendimin që mund të marrë dhe përgjigjja mund të varet nga mënyra se si saktësisht Presidenti Trump tërhiqet nga marrëveshja.

Një zyrtar i informuar rreth vendimit, tha se Presidenti Trump do të rivendoste të gjitha sanksionet ndaj Iranit, të cilat ishin hequr nga marrëveshja e vitit 2015 dhe jo vetëm ato që duhet të skadonin së shpejti.

Marrëveshja me Iranin, e arritur në vitin 2015 nga Shtetet e Bashkuara, fuqitë e tjera botërore dhe Irani, hiqte shumicën e sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare kundër Teheranit. Si këmbim, Irani binte dakord për kufizime në programin e tij bërthamor që e bënin të pamundur prodhimin e një bombe, së bashku me inspektime të rrepta ndërkombëtare.

Me disa lëvizje diplomatike së minutës së fundit, që arritën pikën kulmore me vizitën e kryediplomatit britanik në Uashington, anëtarët evropianë të marrëveshjes u hapën rrugë shumicës së kërkesave të Presidentit Trump, sipas zyrtarëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë të informuar mbi negociatat. Megjithatë, ata u larguan me bindjen sanksionet do të rivendoseshin.

Presidenti Trump foli të martën rreth vendimit të tij me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me udhëheqësin kinez Xi Jinping. Sekretari i jashtëm britanik erdhi në Uashington këtë javë për të bërë një përpjekje të minutës së fundit që SHBA të mbeteshin në marrëveshje, sipas një diplomati të lartë britanik. Diplomati, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Britania do të vazhdojë përpjekjet që marrëveshja të mbetet në fuqi.

Disa orë përpara njoftimit, vendet evropiane u takuan për të nënvizuar mbështetjen e tyre ndaj marrëveshjes. Zyrtarë të lartë nga Britania, Franca dhe Gjermania u takuan në Bruksel me Zëvendësministrin e Jashtëm të Iranit për Çështjet Politike, Abbas Araghchi.

Nëse marrëveshja bie, Irani do të jetë i lirë të rifillojë veprimtaritë e ndaluara për pasurimin e uraniumit, ndërsa bizneset dhe bankat që punojnë me Iranin do të duhet të tërhiqen, përndryshe bien ndesh me ligjin amerikan. Zyrtarët amerikanë ndërkaq po përpunojnë planet për mënyrën se si do t’ia paraqesin publikut tërheqjen nga marrëveshja dhe të shpjegojnë pasojat komplekse financiare të këtij vendimi

Reagimi i Iranit

Vendimit të Donald Trumpit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Republika Islamike iu përgjigj me paralajmërimin e një ekspansioni bërthamor.

Irani, tha Presidenti i tij Hasan Rouhani, mund të rinisë pasurimin e uraniumit me qëllim mbrojtjen e interesave të veta kombëtare. Përpara se të hidhet ky hap megjithatë, do të pritet dhe rezultati i negociatave me partnerët europianë në këtë marrëveshje si dhe Kinën e Rusinë. Për Izraelin, që i shtoi argumentet shefit të Shtëpisë së Bardhë në rrëzimin e paktit me publikimin e disa dokumenteve që tregonin se Irani e kishte vazhduar fshehurazi aktivitetin atomik, kjo lëvizje ishte një përgjigjje e pozicionit të tij.

Liderët europianë nxituan të rikonfirmonin angazhimin e tyre të palëkundur ndaj ujdisë, por nuk dihet sa do të jetë e mjaftueshme kjo për Teheranin, i cili e pat deklaruar që përpara se në rast tërheqjeje të Amerikës, edhe ai vetë nuk do t’i qëndronte më paktit.

Njoftimin e bujshëm të largimit nga marrëveshja, Trump e shoqëroi me pretendimet se në këtë mënyrë po e bën botën më të sigurtë. “Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime boshe”, tha Presidenti në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë. Për kreun e administratës amerikane, marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, e nuk duhet të ishte bërë kurrë”. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike.

Kjo lëvizje përbën një goditje të fortë ndaj aleatëve të SHBA-së, por mund të thellojë nga ana tjetër edhe izolimin e vetë Trumpit në skenën botërore.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *