Trump uron Putin, përflitet për një takim mes dy presidentëve

Botë

Pavarësisht këshillimeve të analistëve që të mos ta uronin ‘Carin” e Rusisë, presidenti amerikan Donald Trump dhe ai i sapozgjedhur rus, Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike, e para pas zgjedhjes së presidentit rus. Biseda telefonike u fokusua në zgjidhjen e problemeve të mbledhura mes SHBA dhe Rusisë.

Për herë të parë pas rizgjedhjes si president i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti amerikan, Donald Trump zhvilluan një telefonatë të martën. Fokusi i telefonatës, sipas DW, ishte në përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë. Nga Kremlini u bë e ditur, se presidenti Trump dhe ai rus madje mendojnë të zhvillojnë edhe një takim mes tyre. Kremlini e cilësoi telefonatën si konstruktive.

Në njoftimin e Moskës thuhet se „vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes për mundësitë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë.” Ata folën për bashkëpunimin praktik për ruajtjen e drejtpeshimit strategjik dhe luftimin e terrorizmit në botë. Në vatrat e krizës Ukrainë dhe Siri duhet bërë progres. Putin dhe Trump u takuan për herë të parë në kuadër të samitit të G20-s në Hamburg, por një takim mes tyre deri tani nuk është zhvilluar.

“Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve,” u tha Presidenti Trump gazetarëve përpara një takimi me princin e kurorës Mohammad bin Salman të Mbretërisë Saudite.

Ai tha se gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit”, por SHBA “nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë”. Çështje të tjera që do të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jenë Ukraina, Siria dhe Koreja e Veriut, shtoi Presidenti Trump.

Gjatë thirrjes telefonike, Presidenti Trump theksoi çnuklearizimin e Gadishullit Korean, diskutoi mbi gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar dialogun rreth “prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë kombëtare”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Pas këtyre komenteve menjëherë mediat kanë hedhur idenë e një samiti apo një takimi mes udhëheqësve më të fuqishëm të botës. gj.b.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *