Type to search

Kryesore Lajme Politikë

“Unaza e Re”, Meta: Banorët e prekur meritojnë zgjidhje të drejtë, transparencë për …

Ndaje

I ftuar sot në emisionin “I Ftuari” të gazetarit Endri Xhafo, në televizionin “A2 Neës”, President i Republikës Ilir Meta ka komentuar edhe konfliktin e krijuar mes autoriteteve qendrore e vendore me banorët e Unazës së Re, banesat e të cilëve janë parashikuar të prishen. Ndër të tjera Kreu i Shtetit ka thënë se po e ndjek me vëmendje situatën duke theksuar se “veprat publike duhet të realizohen në mënyrën më transparente dhe më ligjore, por sigurisht që edhe qytetarët, të cilët preken, duhet të marrin një zgjidhje të drejtë, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën”.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Do të doja t’ju pyesja tani për një gjë që e kemi aktuale: Ju jeni shprehur për një zgjidhje të drejtë për banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ju duket se është e drejtë zgjidhja që është gjetur? Duke pasur parasysh që prishjet kanë filluar, që projekti ka filluar fazën e tij teknike.

Presidenti Meta: Nuk mund të jap një vlerësim të plotë për pyetjen që ju sapo më bëtë. Pasi që kur kemi një situatë konfliktuale, unë kam bërë atë reagim që ju pak a shumë e përmblodhët në një mënyrë konçize. Dhe po kështu kam kërkuar, në bazë të Kushtetutës, informacion nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën konkrete të projektit, të të gjitha fazave ligjore, të miratimit të tij dhe të zbatimit të tij e të impaktit që ai do të ketë. Ndoshta sot ka ardhur për herë të parë, pas disa javësh, nuk mund të bëj dot një llogaritje të saktë të ditës, që kur është bërë një reagim i tillë zyrtar dhe janë bërë kërkesat, një përgjigje nga ARRSH-ja, të cilën ende nuk e kam parë, për arsye se jam këtu në studio me ju. Por do të na duhet të kemi të gjithë informacionin për të bërë një vlerësim më të plotë lidhur me transparencën e këtij projekti, lidhur edhe me përgjegjshmërinë për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë. Pra edhe në interes të publikut, sepse veprat publike duhet të realizohen në mënyrën më transparente dhe më ligjore, por sigurisht që edhe qytetarët, të cilët preken, duhet të marrin një zgjidhje të drejtë, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën.

Gazetari: Nëse në bindjen tuaj, zgjidhja që u është dhënë do të jetë e drejtë, konform ligjeve, e drejtë edhe sipas asaj që është e moralshme, a do ta bëni publik qëndrimin tuaj? A do ta mësojmë qëndrimin e Presidentit?

Presidenti Meta: Unë do ta ndjek këtë situatë. Pres një informacion sa më të plotë për të bërë një gjykim sa më objektiv, jo thjesht për të bërë një vlerësim në bazë të pamjeve apo debateve që dëgjojmë nga ekranet dhe nga mediat. Natyrisht që do të bëj vlerësimin tim. Por ajo që është më e rëndësishme se çdo gjë është një inkurajim që unë i kam dhënë dhe i jap gjithmonë dialogut për çështje të tilla, për t’i tejkaluar këto situata që nuk i shërbejnë as paqes sociale, as një atmosferë më pozitive dhe bashkëpunuese.

 

Gazetari: Zoti President, t’ju bëj një pyetje, duke pasur parasysh që ju keni qenë anëtar i kabinetit, pra anëtar i qeverisë, përpara se të bëheshit President i Republikës! Fakti që nuk ka një ligj që të rregullojë marrëdhëniet e personave që janë në proces legalizimi të banesave – dikur është zgjidhur me VKM, dikur më pas, jo, – është e drejtë le ta quajmë apo ka një boshllëk ligjor? Sepse i gjithë thelbi i asaj proteste është një dëmshpërblim i drejtë i personave, ndërkohë që të paktën, sipas deklarimeve publike, personat që nuk kanë asgjë me hipotekë apo që kanë ndërtuar pranë asaj që do të ishte shtrat i rrugës dhe nuk përfitojnë nga legalizimi, do të marrin një bonus qeraje. Pra gjithçka përmblidhet në një situatë ligjore.

Presidenti Meta: E gjithë atmosfera, me thënë të drejtën, mua nuk më pëlqen. Në kuptimin e një përpjekjeje për të imponuar një situatë konfliktuale, në vend të përpjekjeve për një dialog të qetë e të durueshëm. Pasi banorët mund të kenë edhe situata jo të njëjta apo të ndryshme të karakterit ligjor apo edhe social, të cilat mund të kërkojnë natyrisht zgjidhjet e duhura. Po them proporcionale në raport me statusin e tyre ligjor, flasim të tyre dhe të formave të tyre apo statusin e tyre social, pasi kjo pastaj sjell një gjë tepër të domosdoshme. Është një gjë ligjore, por është edhe një gjë njerëzore.

Gazetari: Çfarë komenti keni për projektin në vetvete? Kujtoj që opozita, partia që keni drejtuar para disa muajsh bën pjesë, po denoncon një aferë që për opozitën është korruptive për shkak të kostos së projektit. Nga burimet që ka Presidenti i Republikës, ka një qëndrim të tijin? Një mendim të tijin?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë mendim të veçantë, përveç se asaj që çdo institucion duhet të bëjë punën e tij. Pra edhe në rast se ka dyshime apo akuza të tilla, institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë veprimet e tyre në mënyrë të pavarur, ashtu sikurse gjithçka që ka të bëjë me këtë projekt, duhet të jetë tepër e hapur dhe transparente për opinionin publik.

Loading...

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *