Urimi special i shkrimtarit për ditëlindjen e djalit dhe një rrëfim prekës i marrëdhënieve mes tyre

Kulturë Showbiz

 

Shkrimtari i dashur për fëmijët dhe jo vetëm, Odise Plaku, shumë vepra të të cilit janë ngjitur në skenat e shumë teatrove brenda dhe jashtë vendit, ka patur një ditë të veçantë sot. Djali i tij, Hermes, ka mbushur 25 vjeç. Dhe vet Odiseja i ka kushtuar një urim të gjatë në facebook, ku ndër të tjera ka bërë dhe një rrëfim prekës dhe të ndjerë të marrëdhënies baba-djalë. Ai tregon se pavarësisht lidhjes baba-djalë, mes tyre ekziston një rivalitet i brendshëm ku secili kërkon të ruajë mbretërinë e tij, çka, sipas tij, shpeshherë është bërë shkak edhe për zënka e konflikte mes tyre.

Urimi i shkrimtarit Odise Plaku:

Shoku im,

Gëzuar ditëlindjen dhe bekimet e Zotit paç në çdo hap të jetës!

Po të drejtohem me fjalët “shoku im” në këtë 25-vjetor të ditëlindjes sate, sepse nëna jote më ka kërkuar kurdoherë që ne të dy të jemi dy shokë të mirë e të ndajmë çdo gjë mes nesh. Sa kam arritur në këtë rrugëtim për ta kthyer në emërtimin tonë?

Ka qenë shumë e vështirë. Nuk ia kam arritur plotësisht, sepse jemi vërtetë dy shokë të mirë, por jo dy shokë shumë të mirë. Marrëdhënia mes babait dhe birit është ndër më të komplikuarat, pasi secili kërkon të ruajë mbretërinë e tij, secili kërkon të forcojë pozicionin e tij, dhe pikërisht këtu fillon ajo pjesa e rrezikshme dhe konfliktuale e marrëdhënieve, gjë që, nëse nuk menaxhohet me kujdes, të del nga duart dhe vështirë të riparohet.

Por ne të dy kohë pas kohe e vit pas viti kemi ndërtuar një kala me themele të forta, dhe kjo është kryesorja. Është një kala që ka jetë, ka gëzime, trishtime, halle, probleme, ka çdo gjë që na mban të bashkuar dhe të lumtur.

Hermes,

Ky 25-vjetor është i veçantë për jetën tënde, sepse ke nisur një rrugëtim të ri, atë të krijimit të familjes sate. Është një rrugë e bukur dhe me të papritura. Ke pasur shansin të kesh një nëne të mrekullueshme, e cila jo vetëm të ka dhënë qumështin e gjirit, por të ka mësuar me veti e cilësi që rrallë mund të gjenden në këtë jetë dhe nuk ka asnjë universitet që t’i mëson. Nëse nga unë ke diçka për të marrë dhe do të shërbejë në jetën tënde, do të ndihem shumë krenar. Vetëm nevrikun e çastit që më shpërthen ndonjëherë mos ma merr. Fati ynë i madh si prindër është që e krijuam familjen, jetën tonë në një moshë shumë të re dhe Zoti na mrekulloi me ju dhe sot jemi moshatarë me ju në shpirt e në dëshira. Dimë edhe të jemi prindër, por edhe shokë të mirë me ju.

Ajo që më pëlqen është se nuk jetojmë në qetësinë dhe lumturinë e rreme, por gricemi çdo herë, dhe kjo na bënë të ecim përpara të gjithë së bashku. Më pëlqen ai çasti i debatimit, heshtjes njëditore dhe shikimit vjedhurazi, por asnjëherë nuk pushojmë se uruari njëri-tjetrin për një ditë të mbarë sa herë dalim nga dera e shtëpisë. Unë di edhe të pranoj gabimin, sepse, tekefundit, jemi njerëz me mish e gjak, me shpirt, kemi strese dhe probleme, që jeta asnjëherë nuk ngurron të t’i vërë përpara, por edhe ti na kupton dhe na justifikon me shprehjen “çfarë t’i bësh, jeni akoma në adoleshencë”.

Biri im,

Ky 25-vjetor qoftë ndër më të bukurit e përvjetorëve të deritanishëm, por jam i bindur se më të bukur do të jenë të ardhshmit, sepse do të jesh baba e ne do të jemi gjyshër, me nipër e mbesa. Kjo është jeta dhe unë jam i gëzuar që gjaku im më bën krenar çdo ditë dhe më shumë.

Bekimet e Zotit paç!

Yti si përherë me dashurinë e madhe oqeanike

Odi

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *