Në një intervistë për gazetaren Beti Njuma në RTV Ora, presidenti i Republikës, Ilir Meta u përgjigj edhe për deklaratat e Ramës për vaksinimin e të moshuarve personalitete.
Pyetje: Ndoshta për të shmangur edhe vëmendjen nga kjo situatë, kryeministri ka hedhur dje një ide: Të një vaksinimi selektiv të personaliteteve të moshuara. A është e drejtë?
Të gjithë duhet të trajtohen si të tillë. Natyrisht, janë disa fasha që janë më të rëndësishme, siç janë mjekët, sanitarët, personeli që ndeshet me këtë sfidë, mosha e tretë, që mund të rezultojë më problematike, invalidët apo persona të tjerë, por çdo diferencim tjetër pastaj ngjan si klasor.
Meta: Së dyti, ajo që është shumë e rëndësishme është se çfarë po bëjmë sot? Sepse nëse raportohen zyrtarisht 1000 e ca të infektuar çdo ditë, të jeni të sigurt se janë dyfishi apo trefishi, të cilët po mjekohen në familje dhe që nuk janë të raportuar. Në këtë moment është tepër i rëndësishëm fokusimi tek roli i mjekut të familjes, përcaktimi i protokolleve të qarta, ndërhyrja e shtetit për ato medikamente apo antivirusë, që kanë rezultuar të suksesshëm dhe që mund të blihen lirë në sasi të mëdha dhe të vihen në dispozicion të qytetarëve.
Këto janë çështjet më emergjente, përveç rritjes së kapaciteteve të të gjitha spitaleve rajonale, sepse është e qartë që me kapacitetet ekzistuese është i pamundur përballimi i fluksit. Një alternativë efikase është shtimi i personelit qoftë duke angazhuar studentë të mjekësisë apo të infermierisë në mbështetje të të gjithë personelit që po merret me këtë sfidë dhe me këtë betejë.