Vdekjet dhe vrasjet më të bujshme të politikanëve shqiptarë

Kryesore Politikë

Këto ditë u nda nga jeta Luan Hajdaraga, një ish-eksponent i lartë socialist, deri dhe nënkryetar në selinë rozë, por i tërhequr më pas nga jeta politike e partiake bashkë, për t’ju përkushtuar vetëm asaj akademike.

I ndjeri Hajdaraga është më i fundit prej një numri jo dhe aq të lartë të ikurish nga politika, ku vetëm dy janë me atentat, tre me aksidente, e të tjerët me vdekje natyrale.

Më i bujshmi mbetet demokrati Azem Hajdari. Lideri i Lëvizjes dhjetoriste u vra natën e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së.

Nga kahja tjetër, në prill të vitit 2009 do të vritej Fatmir Xhindi, deputet i PS-së në Fier, në një atentat në derë të shtëpisë në Roskovec, i cili ka mbetur ende i pazbuluar.

Ai ishte ndër ata deputetë pa shumë protagonizëm parlamentar. Njeri i qetë dhe i respektuar dhe nga kahja tjetër politike, vrasja e Xhindit mbetet mister i madh sa i përket motiveve dhe autorëve.

Ndërsa tek aksidentet, veçohet ai i Gramoz Pashkos në qershor 2006. Ndër figurat e spikatura të Dhjetorit ’90 dhe ndër themeluesit e PD-së, Pashko do të aksidentohej duke u hedhur nga një shkëmb në Dhërmi, për ta mbyllur jetën në një vdekje akoma dhe më tragjike se rënia në shkëmb, ku së bashku me të birin zhduken në det pas rënies së helikopterit që po e çonte drejt Italisë për kurim, shkruan tesheshi.

Aksidenti do i merrte jetën më vonë dhe një tjetër emri me peshë në PD, Sokol Olldashit. Demokrati që aspiroi të merrte drejtimin e selisë blu pas dorëheqjes së Berishës, u rrëza me automjetin e tij një natë me shi shtatori në vitin 2013, teksa po kthehej nga Elbasani.

Ndërsa në kampin e majtë, me aksident do ta linte këtë botë deputeti babaxhan i Shkodrës, Lekë Çukaj. Ai, duke udhëtuar drejt veriut, u përplas në aksin Fushë Krujë – Milot duke dhënë frymën e fundit në një segment rrugor që politika e la si varr të hapur për vite të tëra.

Ndërsa te vdekjet natyrale, janë disa figura që e kanë lënë këtë botë ndër vite, prej të gjitha kaheve, ku veçohen: Safet Zhulali, Pjetër Arbnori, Sabri Godo, Vasil Melo, Bashkim Gazidede, Ferdinand Poni, Gjovalin Kadeli, Luan Hajdaraga gjithashtu, dhe pa harruar Namik Hotin emblematik të Ekologjikes, si dhe emblematikun tjetër të Komunistes, Hysni Milloshi.

Kanë ndërruar jetë gjithashtu ish-figura të larta të sistemit komunist me Ramiz Alinë në krye, ndërkohë që vijon të mos dorëzohet Nexhmije Hoxha. E fundit vdekje e bujshme nga skota ish-komuniste, e njëherësh dhe ish-e persekutuar, ishte ajo e Liri Belishovës pak muaj më parë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *