Vettingu/6 ankesa nga qytetarët, DSIK kërkon shkarkimin e gjyqtarit Ilir Toska

Kryesore Lajme Politikë

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Ilir Toska, ka dalë sot për seancë dëgjimore përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, për t’u njohur me rezultatin e verifikimit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Toska ka qenë i pranishëm vetë përpara trupës së Vettingut. Në raportin e KPK thuhet se për Toskën janë kryer hetime të thelluara si dhe janë verifikuar deklarimet, të ardhurat dhe shpenzimet.

Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e gjyqtarit Toska përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari. Në seancën dëgjimore të kësaj të mërkures, Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka paraqitur një raport të detajuar dhe ka vlerësuar si të papërshtatshëm vijimin e ushtrimit të profesionit të gjyqtarit nga Ilir Toska. Është hera e parë që DISK kërkon shkarkimin e një gjyqtari apo prokurori që prej nisjes së procesit të Vettingut. DSIK verifikon kontakte me botën e krimit.

Ndaj gjyqtarit ka pasur gjashtë ankesa nga qytetarët për vendime të dhëna nga gjyqtari Ilir Toska. Denoncimet janë bërë nga shtetasit V.C, l.M, A.C, H.A, H.V dhe B.B, të cilat janë përfshirë në raportin e DSIK. E pranishme në këtë seancë ka qenë edhe avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Lidhur me anën profesionale sipas Inspektoratit të KLD, rezulton se Toska është i aftë profesionalisht, ndërsa sa i takon pasurisë, Toska ka në pronësi apartament me sipërfaqe 83 m2 në zonën e “Ali Demit”. Sipas verifikimeve doli që Toska kishte vetëm këtë pasuri.

KPK u tërhoq për vendim dhe ka caktuar datën 21 qershor, ditën e nesërme, për të komunikuar shkarkimin ose jo të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Ilir Toska.

Pasuria e gjyqtarit Ilir Toska

Gjyqtari posedon vetëm dy pasuri të paluajtshme, konkretisht një apartament me sipërfaqe 91.44 m2, me vlerë 50 292 euro, blerë me kursime, hua dhe me një kredi bankare si dhe 33% të një apartamenti banimi me sipërfaqe 68 m2, në vlerën 25 000 lekë. Në deklaratën fillestare, gjyqtari deklaron edhe 2 600 000 lekë para cash. Ndërkaq, në vitin 2007, gjyqtari deklaron se ka blerë një autoveturë me vlerë 1 000 000 lekë. Sa i takon të ardhurave, gjyqtari deklaron vetëm pagën e tij, të ardhura nga disa projekte të ndryshme si dhe pagën e bashkëshortes.

Nga viti 2004 deri në vitin 2014, bashkëshortja e gjyqtarit deklaron vetëm një pagë rreth 497 106 lekë, ndërsa më pas, ajo rezulton me disa punë paralele. Në vitin 2016, bashkëshortja e gjyqtari deklaron 48 375 lekë pagë si pedagoge e jashtme, 483 408 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat ‘Albiomed’ sh.p.k, 209 610 lekë ardhura nga paga pranë subjektit privat Qendra Diagnostike Moskat dhe 96 000 lekë të ardhura nga paga pranë subjektit privat person fizik Gëzim Shaholli, ‘Medical farma’.

Toska ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë si dhe kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në prill të vitit 2007, ai është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ku edhe ushtron aktualisht detyrën. Në vitin 2012, Ilir Toska ka kryer gjithashtu detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ilir Toska nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ilir Toska zotëronte pasuri në vlerën e 1.6 milionë lekëve në vitin 2003. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e tij kap vlerën e 12.2 milionë lekëve, e rritur me shtatë herë krahasuar me vitin fillestar të deklarimit.

Pasuria e gjyqtarit Toska përbëhet nga një apartament me vlerë rreth 50 mijë euro, llogari bankare në vlerën e 4.1 milionë lekëvve, rreth 900 mijë lekë kursime në cash si dhe një automjet në vlerën e 1 milionë lekëve.

Ndërkohë, të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin vlerën e 22.9 milionë lekëve, ku pjesën kryesore prej 74.2 për qind e zënë të ardhurat e tij nga funksioni.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 13 deklarata pasurie të gjyqtarit Ilir Toska, të cilat rezultuan pa probleme.

Megjithatë, transaksionet financiare për blerjen e një apartamenti me vlerë 50 292 eurosh në vitin 2005 janë konsideruar si “flamur i kuq” në këtë analizë. Në deklaratën e pasurisë së këtij viti, gjyqtari Toska ka deklaruar se ka marrë një kredi shtetërore me vlerë 5 milionë lekë për blerjen e apartamentit, por i ka përdorur ato pjesërish për pagesën 40 mijë euro, e cila është plotësuar me kursimet e tij dhe një hua prej 12 mijë eurosh.

Në vitin 2006, zoti Toska ka përdorur pjesën tjetër të kredisë prej 3.5 milionë lekësh për të shlyer huanë 12 mijë euro, detyrimin e mbetur te shoqëria sipërmarrëse si dhe për mobilimin e apartamentit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *