Vettingu/ Mashtroi për kredinë 50 mijë € për apartament, gjyqtari i Durrësit del blof para KPK

Kronike Lajme shtojca

10:50-11/04/2018- Gjurma

Ka nisur seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Besim Trezhnjeva.

Besim Trezhnjeva aktualisht është gjyqtar në gjykatën e Apelit Durrës dhe kandidat për anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Gjyqtari Besim Trezhnjeva  mbrohet nga avokati Fatmir Brraka. Trupa gjykuese e KPK përbëhet nga Alma Faskaj, Firdes Shuli dhe Roland Ilia.

Komisioni i Kualifikimit ka vendosur të kufizojë juridisikonin për momentin vetëm në vlerësimin e pasurisë së subjektit duke e konsideruar atë të mjaftueshme për procesin e rivlersimit. Kontrolli i figurës dhe vlerçsimi i aftësive profesionale nuk do të jetë pjesë e shqyrtimit të sotëm për arsye se referuzar nenit 4 pika 2 të ligjit 84, 2016 vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mund të merret në bazë të një ose disa kritereve

Komisioni: Trezhnjeva nuk ishte bashkëpunues

Relatorët e KPK kanë deklaruar se gjyqtari Trezhnjeva nuk ka qenë bashkëpunues në komision, ndaj dhe hetimi është bazuar në deklarimet e tij pranë ILDKP. Trupa gjykuese ka lexuar shkresën e ILDKP, ku kjo e fundit ka konstatuar se deklarimet e gjyqtarit Trezhnjeva nuk janë të sakta, pasi ai nuk ka burime për të justifikuar pasurinë, ka fshehur pasurinë dhe ka kryer deklarim të rremë.

Lidhur me këtë, KPK ka hetuar pasuritë e gjyqtarit dhe personave lidhur me të, prej ku ka rezultuar se Trezhnjeva ka një apartament banimi në Tiranë 96 m2, apartament të përshtatshëm për aktivitet tregtar me sipërfaqe 65 m2 po në Tiranë, për të cilat nuk ka deklaruar burim të ardhurash, si dhe një tjetër apartament 143 m2.

Më tej, KPK njofton se hetimi paraprak ka nxjerrë në pah se ka deklarime të pasakta lidhur me të ardhurat e bashkëshortes së tij dhe para cash. Kjo nga hetimet e KPK, rezulton se gjyqtari Trezhnjeva nuk justifikon pasurinë në një vlerë të konsiderueshme.

Gjithashtu, gjyqtari ka marrë një kredi prej 50 mijë euro për të blerë apartament, e cila sipas dokumenteve, rezulton se ka kaluar në llogari të një kompanie ndërtimi në Durrës. Deri në këtë fazë të hetimit, trupa gjykuese e KPK ka vlerësuar se ky është një kriter i mjaftueshëm për të proceduar subjektin.

Para tij ish-gjyqtari Fatos Lulo nuk mundi ta kalonte vettingun, ndërsa Vitore Tusha doli e pastër duke vazhduar detyren e saj.

 

 

Pasuria e Trezhnjevës

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva është një ndër 14 kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor-institucioni i ri që pritet të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai është gjyqtari i tretë që do të përballet të mërkurën me seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pas Fatos Lulos që u shkarkua nga detyra për pasuri të pajustifikuar dhe Vitore Tushës, e cila u rikonfirmua në Gjykatën Kushtetuese.

Trezhnjeva ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor dhe ka mbajtur më parë postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës si dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Besim Trezhnjeva nga viti 2003 deri në vitin 2014

Ky raport, botuar nga BIRN ALBANIA, është prodhuar pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara tregojnë se gjyqtari Trezhnjeva zotëronte një pasuri familjare me vlerë 9.1 milionë lekë në vitin 2003, ndërsa në vitin 2014 kjo pasuri ka arritur në 39 milionë lekë ose 4.3 herë më e lartë. Shtesa mesatare vjetore e pasurisë familjare nga viti 2003 deri në vitin 2014 ka qenë 2.7 milionë lekë.

Të ardhurat familjare të deklaruara nga zoti Trezhnjeva e kanë origjinën në 49.6 % nga paga e tij për shkak të detyrës dhe 50.4 % nga aktiviteti privat i bashkëshortes, e cila zotëron një farmaci.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që janë identifikuar gjatë kontrollit. Nga 11 deklarata pasurie që iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, dy deklarata rezultojnë me probleme me një vlerë të pajustifikuar prej 4.1 milionë lekësh.

Në analizën e mësipërme u morën në konsideratë edhe llogaritë bankare në emër të aktivitetit privat të bashkëshortes së Z.Treshnjeva, të cilat gjenden në deklaratat që ai ka dorëzuar në ILDKPKI, ndonëse nuk janë objekt i deklarimit të pasurisë.

Si “flamuj të kuq” janë identifikuar gjithashtu edhe gjendja akumulative në cash prej 3.1 milionë lekësh në fund të vitit 2014 apo luhatje e vlerave të likuiditeve në bankë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 

pelit

 

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *