Vettingu, rihapet rivlerësimi për Xhezair Zaganjorin

Kronike Lajme

Në Shqipëri, Komisioneri Publik i kërkoi të premten, Kolegjit të Apelimit që të rishikojë vendimin e marrë në korrik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) me anë të të cilit Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori u rikonfirmua në detyrë në përfundim të procesit të rivlerësimit. Më herët kishte qenë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili kishte ngritur pikëpyetje ndaj vendimit të KPK. Në njoftimin zyrtar, Komisioneri Publik, shpjegon se “pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

Gjatë seancës dëgjimore me zotin Zaganjori, duke paraqitur relacionin mbi verifikimet e bëra, KPK-ja pretendoi, se kryetari i Gjykatës së Lartë rezultonte të kishte bërë deklarata të pasakta, të pamjaftueshme dhe fiktive si dhe kishte mungesë të burimeve financiare, lidhur me një apartament në qendër të Tiranës, një mjedis për zyrë, një bodrum dhe një dyqan. Të gjitha në një godinë të vetme, që sipas zotit Zaganjori nuk ishin blerë, por ishin ndërtuar në një truall të trashëguar nga familja e bashkëshortes. Ndaj tij megjithatë, Komisioni ngriti pretendimin se nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit për qeratë e perfituara, apo dhe se kishte mospërputhje për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, të deklaruara më të ulta se sa kishin rezultuar nga verifikimet e bëra nga vetë Komisioni.

Zoti Zaganjori, i cili përvec të ardhurave nga pagat mujore dhe qeratë, ka deklaruar dhe përfitime të larta financiare nga puna pranë një instituti në Gjermani, deklaroi se i kishte ofruar komisionit afër 40 faqe me shpjegime dhe dokumenta, për të gjitha pikëpyetjet e ngritura gjatë procesit, në fund të të cilit ai u konfirmua nga KPK. Në vendimin e tij, Komisioni i Pavarur shpjegon se “duke arsyetuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, duke vënë në balancë vlerën e këtyre pasaktësive, në raport me provat e tjera tëadministruara…Komisioni konstaton se subjekti ka arritur të argumentojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave të veta, si detyrimi kryesor kushtetues i tij. Në përfundim, Komisioni vlerëson se subjekti Xhezair Zaganjori ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

Por sipas Komisionerit Publik, “…subjekti nuk ka arritur të provojë me prova dhe shpjegime bindëse të kundërtën e rezultateve të hetimit, rrjedhimisht edhe përfundimet e arritura nga Komisioni për vlerësimin e pasurisë së subjektit nuk gjenden të drejta”. VOA

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *