Vettingu, Trezhnjeva u prit me protesta para seancës (Video)

Kronike Politikë

15:40-11/04/2018 Gjurma

Flamur Harri është i biri i Sulë Harrit, të cilit pas vdekjes dhe me rënien e diktatures ju dha titulli “Mësues i Popullit”.

Por, për shkak të problemeve me drejtësinë për pronën në Elbasan dhe pakënaqësisë nga vendimet e të gjitha shkalleve, Flamuri kishte zgjedhur të protestonte kundër njërit prej tyre.

“Duke marrë shkas nga një njoftim në televizor dhe gazetë, se Besim Trezhnjeva do të dilte për vettingun, erdha të protestoj për të thënë që ky njeri ka mbajtur anën e së keqes, sepse jam ndeshur me atë në proceset gjyqësore. Ai më ka mohuar të drejtën e pronës dhe ka mbrojtur gjyqtarin Zihni Shahu dhe pushtetarët e Elbasanit”, thotë ai.

Protesta e Harrit u zhvillua pak minuta para hapjes së dëgjesës publike të vettingut për gjyqtarin e Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva.

Megjithëse duhet të kontrolloheshin së pari gjyqtarët kushtetues, gjyqtarët e lartë dhe të KED , duket se gara e Trezhnjevës për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor e ka ndryshuar radhën.

Në sallën e Pallatit të Kongreseve ku u mbajt procesi, ishte ulur si pjesë e publikut edhe Agim Elezi, i shpallur fajtor pesë vjet më parë dhe i dënuar me gjobë për mashtrim me kreditë.

Relatorja e dosjes “Trezhnjeva” tha se gjyqtari i Apelit ka fshehur pasuritë, ka bërë deklaratë të rreme të tyre dhe burimi i tyre nuk është i justifikuar.

Si pasuritë të gjyqtarit u treguan tre apartamente në Tiranë e Durrës, një sipërfaqe prej 1920 metra/katrorë tokë në Baldushk, e blerë gjatë 2012 –ës për 878 mije lekë dhe një automjet prej 16 mijë eurosh.

Por, sipas kontrollit të vettingut dyshohet se gjyqtyari nuk justifikon burimin e aseteve në vlerën e 20 milionë lekë, ndërsa nuk ka deklaruar edhe një llogari bankare prej 150 mijë lekësh, kjo e fundit u konsiderua nga avokati i tij si një harresë e të bijës.

Gjyqtari nuk tha asnjë fjalë përpara KPK-së përveç emrit e mbiemrit. I vetmi që foli ishte avokati, që këmbënguli se bashkëshortja e gjyqtarit, Arta Trezhnjeva prej dy dekadash punon farmaciste dhe se të ardhurat e saj nuk janë llogaritur.

“Nga viti 1981 deri në vitin 1994 nuk është llogaritur asnjë e ardhur e imja”, deklaroi vetë gjyqtari.

Përveçse gjyqtar, Trezhnjeva ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pritet shpallja e vendimit për të premten, por nga ajo çfarë u kuptua nga seanca, mundësitë janë të pakta që ai të konfirmohet në detyrë. Top Channel

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *