Vetëm një gol prodhoi supersfida e La Ligës spanjolle mes Atletico Madrid dhe Barcelonës, takim që u fitua 1-0 nga djemtë e Diego Simeones. Skuadra vendase, “mjeshtre” e triumfeve me rezultat të ngushtë, shfrytëzoi një gafë të miqve në mbrojtje dhe daljen aventuriere të portierit Ter Stegen, për të gjetur golin e avantazhit.
Ishte minuta e tretë shtesë e pjesës së parë, Correa nisi bukur Yannick Carrasco, 27-vjeçari marshoi i vetëm drejt portës katalanase dhe dërgoi topin në rrjetë pasi shmangu portierin gjerman.
Barcelona u shfaq më ngulmuese në fraksionin e dytë të takimit, por Jan Oblak, një ndër pikat më të forta të Atleticos, u shfaq vendimtar mes shtyllave në dy raste të rrezikshme. Përfundimisht 1-0 për vendasit u mbyll përballja e luajtur në “Wanda Metropolitana”.
Atletico vijon të mbetet skuadra e vetme pa humbje në La Liga. “Colchoneros” ndajnë kreun e renditjes me 20 me Real Sociedad, por ekipi bask ka luajtur një ndeshje më shumë. Barcelona e Messit mbetet në vend të dhjetë me 11 pikë, duke e thelluar me 9 pikë diferencën me kreun.
blob:https://cc.sporttube.com/69bfaded-4c76-4724-9691-17cf3b4d9e7e
Juves i mjafton CR7
Juventusit i mjaftojnë dy golat e Cristiano Ronaldos në fundin e pjesës së parë për të thyer 2-0 Cagliarin në shtëpi dhe për të siguruar tre pikët në Serie A.
Andrea Pirlo deklaroi para ndeshjes së koha e eksperimenteve kishte mbaruar dhe ndaj ekipit sard niste kampionati për “Zonjën”. Ashtu ndodhi, djemtë e tij reaguan dhe mposhtën skuadrën ishullore.
38-të dhe 43-të ishin minutat e golave të fitores për kampionët në fuqi. CR7 e shënoi të parin pas një goditje fantastike, teksa më vonë dërgoi sërish topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nuk dhuroi emocione, përveç golit të anuluar të Cagliarit. Estonezi Klavan shënoi në minutën e 69-të, por teknologjia VAR e anuloi golin.
Me dy golat e sotëm, Ronaldo është ngjitur në shifrën e 8 realizimeve në kampionat, duke iu bashkuar Ibrahimovic në krye të renditjes së golashënuesve, teksa Juventusi ngjitet në vend të dytë me 16 pikë për momentin.