Serbia ndodhet disa muaj larg zgjedhjeve të reja parlamentare, dhe ky zhvillim politik po përcillet me aksion të shtuar opozitar, shpeshherë ekstrem.
Një incident i tillë u shënua brenda Kuvendit, gjatë një debati mes ministres së Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç dhe Partisë Radikale Serbe.
Në seancë po diskutohej për ndërtimin e korridorit të Moravës me vlerë 800 milionë euro, kur deputetët akuzuan ministren si të korruptuar dhe se kishte shtuar në mënyrë fiktive vlerën e projektit me 300 milionë dollarë.
Akuzat dhe mbajtja e një pllakati me mbishkrimin “Rrena Radikale” nga stafi i ministres morën tjetër drejtim pas përfshirjes së deputetit radikal, Milorad Mirçiç.
Mirçiç, i paralajmëruar më herët me vërejtje, ekspozoi para të gjithëve një palë të brendshme dhuratë për ministren, meqë, sipas tij, ajo preferon t’i shpenzojë paratë e shtetit për sende personale.
E ashtuquajtur dhuratë u tentua t’i dorëzohej në dorë vetë zyrtares së lartë.
Ministrja Mihajloviç i cilësoi, pas seancës, pretendimet e palës kundërshtare gënjeshtra të pabaza që vazhdonin prej ditësh e muajsh, ndërsa skenën e pazakontë të deputetëve opozitarë e quajti dhunë klasike në mes të parlamentit.