Video/ Sherri për Teatrin, Vokshi: Kumbaro dorëhiqu, je e paftë

Kulturë

Debatet e forta kanë shoqëruar Komisionin e Medias, ku kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, është përplasur me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, për Teatrin Kombëtar.

Pas një sërë pyetjesh nëse do të shembet Teatri Kombëtar, Vokshi i ka kërkuar Kumbaros të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë të paaftë. Kjo e fundit ka refuzuar të dorëhiqet, duke sqaruar se godina e Teatrit Kombëtar ka shfaqur shumë here probleme dhe shembje të pjesë të ndryshme.

Ndërkohë, dorëheqjen e ministres Kumbaro e ka kërkuar dhe deputeti i djathtë, Luçiano Boçi, i cili i tha ministres të urdhërojë menjëherë ndalimin e punimeve ose të largohet, duke shtuar se Teatri po prishet për një arsye qesharake, për faktin se nuk është ‘monument kulture’. Video e marrë nga Report TV.

DEBATET NE KOMISION


Deputeti i PD, Luçiano Boçi: 
Ministria e Kulturës është institucioni që ndjek procedurat. Duhet patjetër iniciativa juaj për të ndërhyrë. Unë kërkoj dorëheqjen tuaj. Një qeverisje duhet të realizojë objektivat e saj duke respektuar ligjin. Vendimet tuaja janë të brendshmet e vjetra të ushtarëve. Ose jepni urdhër të ndalohen menjëherë punimet, ose largohuni.

Ju po prishni teatrin për të rregulluar termin, meqë thoni se nuk përkon termi ‘monument kulture’. Si u falsifikua planimetria? A do e dërgoni çështjen në Prokurori? Ju gënjeni.

Deputeti i PS, Bujar Çela: Ne e duam teatrin, duam gjithçka të mirë, teatri nuk është monument kulture. Opozita nuk është në gjendje të përfaqësojë popullin. Po debatojmë kot.

Deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj: Në këtë komision thuhen të pavërteta, që kërkohet që qytetarët të bëhen për budallenj, si dhe të luhet me çështje të rëndësishme. Kolegët e mazhorancës janë të detyruar të mbulojnë çmenduritë e Ramës. Ju, z. Ministre binin në kundërshtim me fjalët e tua. Problemet që thoni ju janë bërë për shkak të lëvizjes së themeleve. Kur kishit kaq shumë shqetësime, pse nuk bëtë asnjë studim?

Kjo është një tendencë për të humbur identitetin kombëtar. Nga ndërtimi i teatrit privati do të fitojë 18 milionë euro. Jeni të papërgjegjshëm si qeveri. Ju nuk dini të tërhiqeni nga këto dëme publike që po bëni.

Nora Malaj e LSI: Kjo është çështje trashëgimie, teatri nuk është vetëm i atyre që interpretojnë, por i të gjithëve. Është detyrë kushtetuese e jona që të mbrojmë të gjithë institucionet, duke i trajtuar me shumë seriozitet. Duket një kalvar i gjatë mundimesh i njerëzve, ne jemi këtu për të dhënë zgjidhje. Është krijuar një situatë e jashtëzakonshme. Ne do jemi para popullit deputetë të paaftë, nëse nuk japim zgjidhje, Parlamenti do të quhet shterp.

Fadil Nasufi i PS: Jemi futur në një hulli institucionale, gjithë Shqipërinë e ka zaptuar informaliteti, projekte me shpenzime marramendëse. Sot na rrëmben pasioni i madh për gjëra që janë drejt shkatërrimit, për të ndërtuar gjëra të reja, që dhe ky brezi që është sot të lërë gjurmët e veta.

Boçi: Për Teatrin nuk ka as konkurs kombëtar dhe as ndërkombëtar.

Shezai Rrokaj, deputet i LSI: Teatri Kombëtar duhet të veçohet nga çdo lloj nisme që mund të ketë në atë zonë. Çdo kush që është rritur në Tiranë e konsideron këtë teatër pjesë të historisë së vetë. Trashëgimia më e madhe kulture janë artistët, njerëzit. Këta njerëz, ky kontribut, kjo dije nuk duhet të fshihet. Teatri është pikë reference historike, pa të cilën nuk ekziston dot kujtesa. Teatri është pjesë e identitetit të një vendi. Ky teatër nuk duhet parë si një gjë që po shkatërrohet, ai edhe mund të shembet, të prishet, por ne duhet të ndërtojmë një të tillë edhe më të mirë, aty, si pjesë e rikthimit të kujtesës. Ndjehem shumë i prekur nga ky problem. Refuzohen takimet me njerëzit e çmuar të këtij vendi. Politikanët shkojnë e vijnë, shkencëtarët, artistët do të mbeten. Teatri duhet të bëhet nga shtetit dhe duhet të jetë pjesë e veçuar, të ketë fizionominë e tillë që t’i shërbejë vazhdimësisë së kujtesës kombëtare.

Vokshi: Keni thënë se mungon harta, por keni gënjyer. Ja ku është harta, e kemi ne. Ju nuk dini se çfarë keni, nuk po bëni dot detyrën tuaj. Në relacionin tuaj keni thënë se nuk hiqet, por zgjerohet. Në fakt, e keni hequr, ju keni mashtruar Kuvendin.

Kumbaro: Mos fyeni

Vokshi: A ka mundësi të mos ndërhyni? Unë po flas me fakte, po bëj punën tuaj. Ne i bëjmë detyrat para se të vijmë këtu. Çfarë ke bërë ti për teatrin?

Kumbaro: Kjo qeveri ka bërë atë që nuk e bëri askush për teatrin. Në katër vite janë hapur katër kantierë teatrorë nga kjo qeveri. Kemi bërë investime, në kushtet kur pas 20 vitesh nuk ishte hedhur asnjë qindarkë.

Deputeti i PS: Boll, na shkatërrove mendjen. Vokshi: Ule zërin!

Debatet kanë shoqëruar Komisionin e Medias, që në fillim të mbledhjes, ku është thirrur në seancë dëgjimore ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, për Teatrin Kombëtar.Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, ka pyetur disa herë ministren Kumbaro të përgjigjet nëse do të shembet Teatri Kombëtar, por ajo i është shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë.Vokshi ka këmbëngulur në një përgjigje direkte ndaj Kumbaros, por ka qenë deputeti socialist, Ismet Beqiri, që ka ndërhyrë duke i kërkuar Vokshit të lërë ministren të flasë.

Beqiri: Je në rrezik të shkatërrosh dhe muret, jo më mendjet tona. Boll.

Vokshi: Ule zërin.

Beqiri: Po na fyen të gjithëve, edhe qytetarët që na dëgjojnë.

Vokshi: Qesharak, mos e merr mikrofonin.

Beqiri: E marr sa herë të dua.

Vokshi: Mos më përqesh mua.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *