Vrasja e Vajdin Lames/ SPAK vë nën hetim edhe zyrtarin e lartë të Burgjeve për takimin me Luftar Reçin

Kronike Kryesore Lajme Slider kryesore

Një zyrtar i lartë i Burgjeve është nën hetim nga prokuroria e Posaçme, pasi rezulton të ketë zhvilluar një takim në burgun e sigurisë së Lartë në Drenovë me të dënuarin Luftar Reçi, i penduari i drejtësisë që rrëfeu emrat e të dyshuarve për ekzekutimin e Klodian Saliut e biznesmenit Vajdin Lame në shkurt të 2005. Emri i zyrtarit u zbulua nga një hetim i prokurorisë së Tiranës, e cila çeli një dosje mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga shërbimi i kontrollit të brendshëm në Burgje, për sende të paligjshme që ishin zbuluar në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Akuza e kryeqytetit ishte duke hetuar për përgjegjësinë e gardianëve, kur nga librat e hyrjeve daljeve u zbulua se një nga drejtuesit e njërit prej burgjeve me të rëndësishme në vend, kishte udhëtuar nga Tirana drejt Korçës dhe për 20 minuta kishte qëndruar në takim me të penduarin e drejtësisë në burgun e Drenovës. Burime të besuara për ‘News 24’ thanë se takimi është zhvilluar dy muaj më parë, teksa i dënuari për vrasje ishte marrë në mbrojtje, pasi vendosi të bashkëpunonte me SPAK dhe të jepte detaje për dy vrasjet e ndodhura 16 vite më parë. Të vënë në dijeni për këtë fakt, prokurorët e SPAK iu drejtuan kolegëve të Tiranës dhe sekuestruan dosjen hetimore. SPAK po heton tashmë për zbardhur arsyen e takimit dhe bisedën e zhvilluar mes tyre.


Luftar Reci i dënuar për vrasje rrëfeu detaje për vrasjen e Klodian Saliut në Durrës dhe ekzekutimin me mine të telekomanduar të Vajdin Lames në Tiranë. Mbi bazën e dëshmisë së tij, SPAK firmosi urdhër arrest për Lulzim Berishën, ish kreun e bandës së Durrësit dhe kunatin e tij Plarent Dervishaj. Në pranga u vu Indrit Taullai, Viktor Imeri dhe Indrit Rusi, ndërsa Emiljano Shullazit iu komunikua akuza e re në burg./ News 24

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *