Vuçiç: S’e kontrollojmë më Kosovën, zgjidhja e çështjes, fundi im politik

Kosovë Kryesore Rajon Rrotull

Gjurma 7 Maj 2018

“Serbia nuk e kontrollon më Kosovën dhe këtë ne duhet ta kuptojmë.” Ka qenë ky mesazhi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç gjatë një interviste për të përditshmen serbe ‘Kurir’. Kreu i shtetit e ka konsideruar zgjidhjen e çështjes së Kosovës si fundin e tij në politikë, pasi cilido qoftë përfundimi, populli serb nuk do ta përkrahë.

Zgjidhja për çështjen e Kosovës nuk është aspak e lehtë për presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Kurir”, Vuçiç u shpreh se populli serb nuk do të kënaqet me zgjidhjen që do të marrë ky problem, në një kohë kur ka propozime nga thuajse gjithë bota për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Serbia nuk e kontrollon më territorin e Kosovës, këtë duhet ta kuptojmë. Kemi ardhur deri këtu si rezultat i politikës sonë të keqe në 2004 dhe 2008. Kujtojmë se në vitin 1999 ne u mposhtëm nga fuqitë e mëdha botërore,” u shpreh presidenti serb. Ai shtoi se Serbia ka tashmë një politikë racionale dhe të pavarur, të cilën ai e mbështet dhe mbron.

Gjatë intervistës, Vuçiç është ndalur është në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB, teksa është shprehur se nuk dëshiron të komentojë lidhur me këtë temë. “Unë gjithnjë flas për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon. Kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, unë shpresoj në gjetjen e një zgjidhjeje. Por e di se cilado qoftë ajo zgjidhje, do të nënkuptojë fundin tim në politikë,” u shpreh presidenti.

I pyetur se përse ai mendon se është fundi, Vuçiç u përgjigj kështu: “Të tillë janë serbët. Ata nuk do ta falin të ardhmen dhe paqen e tyre. Jam i sigurt se për çdo lloj vendimi për Kosovën, unë nuk do të kem mirëkuptimin apo mbështetjen e shumicës së popullit. Por nëse mendoni se nesër unë mund të them ‘Kosova është e pavarur’, unë nuk jam gati,” përfundoi presidenti serb.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *