Xhisiela/ Reagon Ministria e Brendshme: Kemi hetuar çdo pretendim, tashmë çështja në dorë të prokurorisë

Kronike Kryesore

 

Në një deklaratë për media të shpërndarë vetëm para pak minutash, Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritura gjatë ditës së sotme nga deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj. Ministria e Brendshme deklaron se ka kryer të gjitha veprimet e duhura ndaj rastit “Xhisiela”, ndërsa bënë të ditur se për të zbardhur të gjitha pretendimet e ngritura gjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje edhe persona që kanë dijeni.

Reagimi i Ministrisë së Brendshme për akuzat e Alibeajt

 

Lidhur me deklaratën e deputetit të PD-së, Ministria e Brendshme sqaron se:

PD-ja po vijon të sulmojë me fakte të deformuara dhe të hedhë baltë pafund mbi Policinë e Shtetit.

 

Për çdo kërcënim të pretenduar, Policia e Shtetit ka kryer veprimet proceduriale në mënyrë profesionale dhe ka referuar dosjen për ndjekje të mëtejshme në Prokurori.

 

E ka bërë këtë me denoncuesen Xhisiela Maloku, edhe pse ajo u tërhoq nga kallëzimi, që prej datës 23 korrik 2018, e ka bërë këtë edhe me denoncimin e ish-oficerit që braktisi detyrën, Emiljano Nuhu, që prej 30 korrikut 2018.

 

Çdo veprim i Policisë së Shtetit dhe i SHÇBA-së, që është investuar që nga momenti i parë i bërjes publike të pretendimeve, janë transparente dhe të referuara në Prokurori. Hetimet po drejtohen nga ky institucion dhe janë deleguar një sërë veprimesh, që ndihmojnë për zbardhjen shpejt të ngjarjes, zbardhjen e plotë të rrethanave, sqarimin e çdo pikëpyetjeje të publikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, të përballen personat e implikuar me përgjegjësitë penale.

 

Në respekt të publikut, SHÇBA-ja sqaron se janë marrë në pyetje jo vetëm punonjësit e Policisë në Krujë, Fushë Krujë, Durrës, Berat e Tiranë, por edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për faktet.

 

Referuar deklarimeve të zyrtarit të radhës së PD-së, është realisht e provuar dhe me dokumente se pretendimi për kërcënim i ish-oficerit Nuhu është duke u hetuar që nga momenti i parë i denoncimit. Dhe këtë hetim nuk po e drejton Policia, por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Gjithashtu, i rikujtojmë juristit Alibeaj, se në momentin kur çështja referohet në Prokurori është vetëm ky institucion, Zot i saj, dhe Policia e Shtetit është vetëm në funksion të hetimit. Të gjitha deklaratat dhe akuzat me sfond të qartë politik janë vetëm përpjekje për të intimiduar agjencitë ligj zbatuese dhe vonuar apo penguar zbardhjen e së vërtetës.

 

Koha kur Ministra, firmosnin urdhra drejtuar Prokurorisë dhe bëheshin Zot të çështjes, për të mbuluar paudhësitë e qeverisjes së kohës, nuk ekziston. I kujtojmë z. Alibeaj, megjithë sikletin që mund të ketë patur, se publiku e ka ende të freskët skandalin ligjor të ish-ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës, për një dosje që shqetësonte pushtetin e kohës.

 

Në mbyllje, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbeten të hapura, transparente dhe nxisin fort Prokurorinë për të zbardhur shpejt të vërtetat dhe rrethanat për gjithë akuzat e ngritura.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *