Zani Çaushit iu refuzua kandidimi për deputet, ish-kreu i KQZ rrefen bisedën me ish-kryeministrin Fino dhe trupat komando

Lajme Politikë

Kristaq Kume ish kreu i KQZ-së në 1997 duke marrë shkas nga rrëfimi i kreut të SHIK, Fatos Klosi ka rrëfyer në një status në Facebook tmerrin e zgjedhjeve të 1997. Ai tregon se si mbledhjet e institucionit bëheshin me mitrolozin te dera nga frika e trazirave, si dhe një episod kur tregon presionin që pati për të regjistruar Zani Çaushin si kandidat për deputet.

 

RREFIMI I KRISTAQ KUMES

Lexova tek Panorama një intervistë të kolegut tim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që administroi zgjedhjet e vit të mbrapshtë 1997, z. Fatos Klosi dhe më duhet që të them atë që unë di për sa Klosi deklaron në këtë interistë:
Si dihet, zgjedhjet në atë kohë u bënë ne kushtet e një situate rendi shumë të rëndë. Armët ishin sheshit, shteti nuk kishte pothuajse asnjë kontroll në territor. Këtë detyrë e përgjegjësi e kishin marr trupat ushtarake ndërkombëtare të Misionit Alba. Partitë poltike e kishin të pamundur të zhvillonin fushatën zgjedhore në të gjithë vendin. PD nuk shkonte dot në rrethet e jugut dhe PS e kishte shumë të vështirë të zhvillonte fushatë në veri të vendit.
I vetmi subjekti që bëri fushata në te gjithe vendin ishte Partia e Legalitetit , fushatë që kishte në objektivin e saj Referendumin për sistemin e qeverisjes: Republikës apo Monarki. Në 29 qershor 1997 u zhvilluan njëkohësisht dy procese zgjedhore – zgjedhjet e parakohëshme për Kuvendin e Shqipërisë dhe Referendumi për sistemin qeverises.
KQZ që organizoi dhe administroi këto dy proçese zgjedhore ishte e ndërtuar në bazë të parimit të përfaqësimit dhe ballancimit të plotë opozitë – mazhoracë. KQZ kishte 16 antarë – 8 nga partitë e mazhorancës, 4 prej të cilëve propozime të PD dhe 8 nga partitë e opozitës, 4 prej të cilëve propozime të PS. Sekretari i KQZ-te ishte drejtori i drejtorisë së organizimit të zgjedhjeve dhe referendumeve në Sekretariatin e Shtetit për Pushtetin Lokal, z. Thimjo Kondi.
Kryetari dhe nenkryetari i KQZ kishin pozite juridike të barabartë. Sekretari kishte të drejtë vote. Aktet e KQZ ishin të vlefshëm vetem kur firmoseshin njëkohësisht nga Kryetari, Zv. Kryetarin dhe nga Sekretari i KQZ. Vendimet KQZ duhet t`i merrte me 2/3 e antarëve pjesëmarrës në mbledhje, ndërkohë që mbledhja mund të zhvillohej vetëm në se merni pjesë më shumë se ½ e antarve. Ky kompozim i KQZ dhe rregulli i vendimmarrjes favorizonte sjellje bllokuese. Për pasojë përpjekjet e mija bashkë me z. Klosi ishin që të arrinim që KQZ-ja të merrte vendim me konsensus. Në të shumtën e rasteve e realizuam.
E gjithë puna e KQZ zhvillohej në sfondin e një situate të jashtëzakonshme. Komunikimi me administratën zgjedhore në rrethe ishte shumë i vështirë. Presioni nga bandat, që bënin ligjin në shumë rrethe të vendit, ishte i madh. Kujtoj psh. presionin që behej për të rregjistruar Zan Çaushin kandidat për deputet ose rastin kur për të ndihmuar komisionin zonal në Vlore për të rregjistruar kandidatët dhe për të marr dosjet e kandidateve, u dërgua me helikopter një antar i KQZ-se sepse komisioni zonal e kishte të pamundur të vepronte, etj. Situata rëndohej akoma edhe më shumë me afrimin e ditës së zgjedhjeve dhe pati si kulm të saj revoltën e monarkisteve tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në 2 korrik. Ishte kjo kohë kur u përhap lajmi se ishte tentuar që KQZ të hidhej në ere, me eksploziv që do të vendosej poshtë zyrave, duke përdorur, për këtë qellim, tunelin që fillonte nga Hotel Rogner e përfundonte poshtë pallatit te Kongreseve. Si kundërpërgjigje e këtij lajmi, që unë në asnjë rast nuk e mora vesh nga doli dhe nuk u njoftova zyrtarisht për të, zyrat e KQZ, me urdhër të zv. Ministrit të brëndshëm, u moren në ruajtje nga forcat komado të Zall Herit. KQZ-ja pas kësaj i zhvillonte mbledhjet në një sallë me derën e hapur, në të cilën qëndronte, me mitroloz dykëmbësh në dorë, nje force komando!!! Ishte kjo kohe kur nga antarë të KQZ ju kerkua Kryeministrit që të armatoseshin me pistolete TT, kërkesë që Z. Fino, në bisedë me mua dhe edhe me dakortësinë time e konsiderojë të papranueshme. Në të njëjtën kohë, z. Fino duke vlerësuar situatën por jo se ja kërkova unë, urdhëroi mbrojtjen time nga punonjës të Gardës së Republikës dhe ruajtjen me forca te policise se rendit të banesën ku jetoja me familjen.
Pavarësisht nga gjithë situata në të cilën zhvillohej proçesi, ndryshe nga sa thotë Z. Klosi, me duhet të them së, në asnjë rast une nuk jam kërcenuar direkt dhe aq më pak të jem përballuar fizikisht me veprime që mund të më rrezikonin jeten mua ose familjes time. Së çfare ka ditur më shumë ose ka mësuar më shumë për shkak të detyres Z. Klosi, kjo është tjetër gjë. Natyrisht presioni mbi mua direkt dhe indirekt nuk ka munguar. Kujtoj p.sh deklaratat e përseritura të përfaqesueseve të Komitetit të Shpëtimit tek Sheshi Flamurit në Vlorë, të cilet më mallkoni dhe bërtisnin se ‘Vlora të mohon dhe si djalë te saj dhe do të të jap çfarë meriton” E rendë ishte kjo për mua por akoma shumë më e rendë për nënë e babain tim, që jetonin në Vlorë, të vetëm, në një shtëpi ballë për ballë me vendin nga ku bëheshin këto deklarata. E rëndë ishte për mua edhe kur shkruhej në shtypin e ditës, nga kalemxhinj që kërkonin të përfitonin nga rasti, si ishin psh shkrime të gazetës “Koha e Jonë”.
Megjithë këtë une e kisha pranuar këtë detyrë dhe, duke patur edhe mbështetjen e plotë të shoqes time të jeëes, se femijet e mi ishte akoma të vegjël, në asnjë rast nuk me shkoi ndërmendje që të largohesha dhe ta braktisja., Natyrisht, me këtë nuk dua të them se isha trim i çartur por dua të theksoj se përgjegjësinë për detyrën e kam patur të lartë. Ashtu sikurse edhe informacionin se cfarë bëhej në skuta dhe në errësirë, nuk e kisha. Atë vetëm e ndjeja ose të tjerë ma sillni në vemendje. Kujtoj psh. bisedën me mikun tim Zyri Bajrami po ata ditë dhe në të njëjtën kohë kur monakistet demostruan me force në mjediset e KQZ, i cili me pyeste se çfare masa kisha marr për të mbrojtur familjen time dhe, në se do te isha dakort, të organizohej largimi i tyre për në Greqi. Po të njëjtën ndjenjë për rrezikun më krijoi edhe biseda miqësore e bërë në ato ditë me sekretarin politik të Ambasadës Italiane, i cili, duke pirë një kafe bashkë, me tha se ata mund të organizonin largimin e familjes time për në Itali dhe kur une i thashë se në Itali nuk kam asnjë pikë kontakti mu përgjigjë se, për cdo gjë ishin ata përgjegjës për ta bërë. Bisedoje me familjen, me tha dhe me jep përgjigje në mbasdreke. U ktheva në zyrë dhe këtë bisedë ja thashë kolegut Klosi. Të dy ishim të tronditur dhe shumë të shqetsuar por edhe të vendosur për të vazhduar plotësimin e detyrës që kishim marr përsipër. Familja e ime nuk shkoi në Itali sepse ime shoqe as nuk pranoi te diskutonte për këtë propozim.
Përsa i takon kërkesës që thotë Z. Klosi, për t`u pajisur unë dhe familja e ime me pasaportë diplomatike, nuk di se ku e ka marr këtë informacion.
Unë nuk kam bërë asnjë kërkesë të tillë tek asnjë autoritet, për më tepër i motivuar nga vlerësimi i rrezikut për vehte dhe familjen time. Si edhe tregova me lartë familjen mund ta largoja nga Shqiperia pa patur nevojën e të kërkoja një pasaporte të tillë sepse ata që e deklaronin se merrnin përsipër për ta bërë këtë gj, e zgjidhnin vete edhe këtë problem.
Une jam pajisur, vetem une dhe jo familja, me Pasaportë diplomatike nga Presidenti i Republikës me nje dekret që, duke vlerësuar kontributin e dhënë në zgjidhjen e kësaj krize të jashtëzakonshme, këtë lloj pasaporte duhet ta kishte në mënyrë të përjeteshme. Dhe kjo lloj pasaportë nuk mu dha vetem mua por edhe të tjereve që punuam bashkë në këtë KQZ. Pavaresisht nga përcaktimi në dekret une e kam patur këtë lloj pasaporte vetëm për një periudhe rreth dy vjetë
Këto janë ato që une di dhe me të cilat jam përplasur gjatë kësaj periudhe shumë të veshtiëe. Thënë këtë, nuk dua dhe as që mund të pohojë se kjo është e gjitha çfarë ka ndodhur me mua dhe për rreth meje në atë kohë. Më shumë ose më keq se sa kaq sa di une mund të kenë qënë punët por, më mirë që nuk i kam ditur edhe në se kanë qënë të tilla. Koha kaloi. Vendi arriti ta përballojë atë situatë të jashtëzakoneshme, natyrisht duke paguar një faturë të madhe. Megjithë këtë kaloi por, me sa duket, pësimi nuk arriti të bëhet plotësisht mësim. Duhet akoma të pësojë, jo si në 1997 sepse gjerat kane ndryshuar thelbesisht, që të arrijë të mësojë e te sillet ashtu sikurse edhe aspiron, si një vend pjestar i familjes së vendeve demokratike.

Sa takon mua, ajo periudhë më mësoi dhe më dha shumë. Pavarësisht cfarë kalova bashkë me familjen time, ajo kohë më dha mundësinë që në jetën time të beja dicka, modeste, për vendin dhe popullin tim, dicka që nuk do të kisha mundësi ta bëja në se nuk do të më ishte ngarkuar detyrate drejtoja, bashkë me kolegët e tjere, zgjedhjet e jashtëzakonshme të `97. E vetmja gjë që zor se koha do të bëjë të kalojë është dhembja për prindërit e mi, për stresin e jashtëzakonshëm dhe vuajtjen e madhe psikologjike dhe në shpirt, që ata provuan gjatë asaj kohe, të vetëm në Vlorën që e “kishin nxjerr nga binaret”, përballë turmës të përndezur e të tërbuar, që mallkonte dhe kërkonte gjakun e djalit të tyre.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *