Zbardhet e gjithë dinamika e grabitjes në Rinas, lëvizjet e grupit dhe marrja e thasëve me euro

Kronike Slider kryesore

Zbardhet e gjithë dinamika e grabitjes së Rinasit, ku u vodhën 7 thasë me rreth 6 milionë euro.

Përmes pamjeve ekskluzive të sjella pas ngjarjes së 9 Prillit, tregohet se e gjithë grabitja e Rinasit ka ndodhur në vetëm 5 minuta.

Në to tregohen veprimet e grabitësve të drejtuar nga Admir Murataj, të cilat  nisin përgjatë perimetrit të aeroportit që është i rezervuar për hyrjen e mjeteve të zjarrfikësve.

Nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, një nga grabitësit që ka të veshur uniformë të zezë thyen zinxhirët që mbajnë të kyçur derën, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë me një kabull prej çeliku të lidhur te furgoni spostojnë bllokun prej çimentoje të vendosur si mbrojtje e gardhit.

Në pak sekonda furgoni i kamufluar me logon “Hetimi Tatimor”, futet në aeroport i pa shqetësuar nga askush, teksa vijon itinerarin në pistën e aeroportit duke kaluar nga pas avionëve të parkuar drejt avionit të linjës së Austrisë, ku po vendoseshin thasët me eurot.

Në një tjetër video ekskluzive të publikuar një ditë më parë, vihet re se furgoni futet në pistë 10 sekonda pasi ulet një avion me 200 pasagjerë nga Italia. Avioni ku ndodheshin eurot është i treti në radhë, teksa dallohet bishti i ‘Austrian Airlines”.

Furgoni i policisë që lëviz dhe furgoni i policisë kufitare që qëndron në pistë për të riatdhesuarit janë me armatim vetëm pistoleta.

Nga videoja duket se furgoni në pistë ka qëndruar vetëm 2 minuta, ndërsa e gjitha grabitja ka zgjatur 5 minuta, nga çarja e derës dhe deri në momentin e daljes nga aeroporti.

Furgoni i grabitësve pas kësaj merr rrugën drejt daljes pranë parkimit C.

Grabitësit hapin me forcë edhe këtë derë: Operacionin e drejton si gjithmonë Admir Murataj qe para se te largohet rimerr pozicion në sediljen në krah të shoferit.

Furgoni i grabitësve me paratë  arrin të dalë tashmë jashtë aeroportit, por ndërkohë është dhënë dhe alarmi.

Ndërkohë, furgoni i policisë kufitare lëviz në 15:03 minuta, kur furgoni i grabitësve ishte larguar me paratë në 7 thasët e marra në bordin e avionit. Ndërsa FNSH-ja ka lëvizur disa sekonda më parë edhe ka qenë nga jashtë pistës duke e ndjekur. Pavarësisht se arrijnë që të largohen me shpejtësi nga pista për Admir Muratajn arratia do të merrte fund pas më pak se dy kilometra kur furgoni rrethohet nga policia dhe në shkëmbimin e zjarrit me armë mbeti i vrarë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij u arratisën me një tjetër furgon, bashkë me eurot.

Nisur nga këto pamje, hetuesit e krimeve kanë krijuar dyshimet e forta se dikush nga grabitësit më parë është futur në pistë i kamufluar si punëtor dhe dinte me ekzaktësi rrugët e kalimit dhe oraret e ulje dhe ngritjes së avionëve ose kishin dijeni nga brenda stafit për lëvizjet e avionëve.  Për këtë arsye, Krimet e Rënda kanë kërkuar ndalimin e 5 personave, pjesëtarë ICTS (kompania e sigurisë në Aeroport)  dhe bankave.

Ndërkohë që disa javë pas grabitjes së 9 prillit janë arrestuar gjashtë, autorë dhe bashkëpunëtorë, pasi personi që modifikoi furgonin Alkond Bengasi është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë duke zbërthyer grupin.

Deri më tani në pranga kanë rënë Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Oltjan Veseli, Saimri Cela, Renaldo Sula dhe Elton Pikli.

Në kërkim janë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, Talo Çela, Aleks Pepa dhe dy ish efektivë policie, një mashkull dhe një grua.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *