Zv.ministri i Drejtësisë: Nuk mbaron me kaq! Të ‘djegurit’ e Vettingut do të ndëshkohen

Kryesore Politikë

Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar sot Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të marrë masa deri në shkarkimin e një gjyqtareje, që ka nxjerrë nga burgu një person me precedentë kriminal.

“Erida Cela nuk e ka për herë të parë, ajo ka qenë subjekt inspektimi i KLD. Sot MD i ka kërkuar inspektoriatit të KLD të nisë hetimin për veprimin e gjyqtares në lidhje me rastin. Do e ndjekim deri në fund cështjen dhe do të propozojmë para KLD masat deri në shkarkimin e gjyqtares”- tha zëvendës ministri i Drejtësisë në një deklaratë për mediat.

Sipas tij, raste të tilla nuk janë as të reja as befasuese, por shkaktojnë revoltë e neveri në kushtet kur vendi po reformon drejtësinë e kalbur.

“Vetingu që po zbulon pasuri të paimagjinueshme me shkelje ligjore të panumërta duhet të pastrojë llumin në togën e zezë. Ata gjyqtarë që mendojnë se do ja hedhin duke ikur nga sistemi, por jo, pas vetingut është radha e ndëshkimeve për të gjithë, se nuk është pastrimi i llumit, por garantues i një sistemi që të bëjë drejtësi”- tha ai.

Deklarata e plotë

Sistemi i drejtësisë, këmbëngul të japë vendime qartazi të paligjshme që vijojnë të provojnë kalbëzimin e tij dhe drejtesinë e reformës, që po zbatojmë përmes Vetingut, e jo vetëm.

 

Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi.

 

Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë.

 

Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares.

 

Raste të tilla nuk janë as të reja e as befasuese, por sidoqoftë ato shkaktojnë revoltë dhe neveri, në kushtet kur Shqipëria po reformon rrënjësisht këtë drejtësi të kapur e të kalbur.

 

Procesi i Vetingut, i cili po zbulon në sytë e shqiptarëve pasuri të paimagjinueshme dhe shkelje ligjore të panumërta nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve, mund e duhet ta pastrojë deri në fund llumin e mbështjellë me togën e zezë.

 

Prandaj Qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa asnjë rezervë organet e reja të kontrollit të ecin me shpejtësi e në thellësi me procesin e Vetingut, duke kaluar në filtër jo vetëm pasurinë, por edhe vendimet haptazi në kundërshtim me ligjin.

Mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë  të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo!

 

Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi.

Për të gjithë e pa dallim.

Dhe ashtu siç nuk mendohej se kupola e korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të shembej e ja ku po shembet, ashtu do të ndodhë më herët se vonë, me daljen e të pandëshkuarve të çdo lloji e niveli përpara ligjit.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *